Politike

Shehu: Koncensionet po mbyllin 4 shërbimet mjekësore universitare

Ish-deputeti demokrat Tritan Shehu shprehet se koncesionet në sistemin e shëndetësisë po detyrojnë të mbyllen katër shërbimet mjekësore universitare.
“Prej kohësh laboratorët e vendit, përfshi ato universitare janë lënë në degradim për të justifikuar kalimin e tyre te koncesionari. Këto ditë drejtuesit e qendrave laboratorike të Shërbimeve Universitare të Tiranës dhe të spitalit të Durrësit po detyrohen të japin dorëheqjen. Në bazë të kontratës së firmosur midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Koncesionarit të Laboratorëve të gjithë punonjësve e tyre të trajtuar si “plaçkë”, u ndërpriten marrëdhëniet me punën për t’u vendosur në liste pritje. Këta janë profesorë, pedagogë, drejtues shumë të kualifikuar, specialistë të shquar, punonjës me eksperiencë të çmuar etj, që sot po detyrohen të heshtin nën terrorin e pa sigurisë”, shprehet ish-deputeti.
Më tej ai shprehet se kalimi i laboratorëve te Koncesionari zhduk praktikisht katër Shërbime Universitare themeltare, atë Klinik-Biokimik, Anatomo-Patologjik, Imunologjik e Mikrobiologjik dhe më pas edhe Imazherinë. Kjo praktikë “unikale” e PPP, sipas tij, asgjëson tërësinë funksionale të spitaleve, veçanërisht të atyre universitare, dëmton rëndë aktivitetin didaktik, shkencor, kualifikues në nivel vendi etj, si dhe rrit koston për të njëjtin aktivitet klinik.
“Falja Koncesionarit e të gjithë “arsenalit” ekzistues laboratorik të vendit, përfshi investimin e madh te realizuar nga Qeveria Berisha në QSUT, e shoqëruar kjo me pagesat që do t’i bëhet atij prej rreth 100 milionë USD në 10 vite, është një abuzim i tejskajshëm dhe antiprofesional, që duhet ndalur”, shtoi Shehu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë