Futboll

Shehi dhe Sedloski drejt largimit, Tirana dhe Vllaznia me trajnerë të rinj

Gazeta Si – Kanë nisur lëvizjet e trajnerëve te skuadrat shqiptare, edhe pse kampionati sapo ka përfunduar. Tirana dhe Vllaznia, dy nga skuadra që do të marrin pjesë në kompeticionet europiane, kanë vendosur për ndryshime në stol. Pritet vetëm zyrtarizimi.

Orges Shehi, i cili mbylli sezonin e dytë me Tiranën, me shumë mundësi do të shkojë te Shkëndija e Tetovës. Trajneri durrsak është kërkuar edhe më parë nga kjo skuadër dhe duket se ka ardhur momenti për të nisur bashkëpunimin. Lëvizja duket e sigurt edhe për faktin se te Tirana, pas humbjes së titullit, situata nuk është edhe aq e mirë.

Goce Sedloski drejt largimit nga Vllaznia. Gazeta Si, 30 maj 2023

Goce Sedloski do të largohet nga Vllaznia, duke e mbyllur shpejt aventurën shkodrane. Edhe pse ai e arriti objektivin për të shkuar në Europë, drejtuesit e Vllaznisë duket se nuk kanë mbetur shumë të kënaqur nga ajo çfarë ka bërë trajneri maqedonas gjatë kësaj periudhe.

Në ambientet futbolldashëse në Shkodër ka filluar të qarkullojë emri i gjermano-kroatit Tomas Bërdariç, që e ka drejtuar këtë skuadër sezonin 2021-2022. Te Tirana për momentin nuk ka emra kandidatësh për të zëvendësuar Shehin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë