“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura që të mirëpresë Maqedoninë në NATO”. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis vendosi ta niste me këto fjalë konferencën e përbashkët për shtyp në Shkup me kryeministrin Zoran Zaev dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Ai vlerësoi përpjekjet e Shkupit për arritjen e marrëveshjes Maqedoni – Greqi, duke theksuar se referendumi i 30 shtatorit do të jetë vendimtar për të ardhmen e vendit. Shefi i Pentagonit tha se SHBA-të vlerësojnë lidershipin e kryeministrit Zaev si një faktor stabilizues për gjithë Ballkanin. Ai falënderoi po ashtu Kryeministrin për suportin që i ka dhënë NATO-s dhe ushtrisë amerikane në Afganistan duke u rreshtuar krah për krah me ushtarët amerikanë dhe pjesës tjetër të Aleancës. Sipas sekretarit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, marrëveshja më Greqinë do të mundësojë realizimin e reformave kyçe të nevojshme për Maqedoninë.
“Falënderoj kryeministrin Zaev dhe ministren Shekerinska për përpjekjet që kanë bërë për realizimin e marrëveshjes së nënshkruar në Prespë”, tha Mattis.
“Kjo marrëveshje do të mundësojë realizimin e reformave kyçe në vendin tuaj, dhe do të vendosë për të ardhmen e vendit. Maqedonia sapo shënoi përvjetorin e pavarësisë dhe tanimë, më anë të një tjetër referendumi, do të vendosni edhe për anëtarësimin në aleancën transaltantike. Duke iu bashkuar NATO-s, siguria në vend do të rritet duke sjellë ekonomi dhe investime më të larta”, deklaroi ai
Duke falënderuar Uashingtonin për mbështetjen, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev deklaroi nga ana tjetër se vizita e Mattis do të thotë shumë për mbarë Ballkanin.
“Në këtë drejtim, përkrahja e SHBA-së paraqet një siguri e madhe për ne. Është e rëndësishme të theksojmë se Maqedonia ka përfitim të drejtpërdrejtë nga ky proces, dhe jo vetëm për vete, por për gjithë stabilitetin ekonomik dhe të sigurisë së Ballkanit”.
Kjo ishte vizita e parë e James Mattis në Ballkan dhe sipas ekspertëve tregon se SHBA-ja është rikthyer më fuqishëm se kurrë në Ballkan. Por, pak para mbërritjes në Shkup, ai ngriti sërish alarmin se Rusia po përpiqet të bojkotojë referendumin, për të penguar arritjen e një marrëveshjeje mes Maqedonisë dhe Greqisë. Duke folur në avion me një grup gazetarësh që e shoqëronin gjatë vizitës së tij në Maqedoni, shefi i Pentagonit deklaroi se nuk ka dyshimse Moska po financon organizatat pro-ruse në Shkup, për të bojkotuar referendumin.
"Rusët hodhën para dhe zhvilluan një fushatë të gjerë influencimi në opinionin publik”, deklaroi Mattis, duke theksuar se është e vështirë të përcaktohet efektiviteti i këtyre përpjekjeve.
Ndërkohë, dy ditë para vizitës, Mattis rikonfirmoi mbështetjen e SHBA-së për Maqedoninë dhe angazhimit e Amerikës për paqen dhe sigurinë në mbarë rajonin. Zyrtari i lartë amerikan tha në një konferencë në Pentagon, se ishte i shqetësuar për ndërhyrjen e Rusisë për të bllokuar rrugën e Maqedonisë për anëtarësimin në NATO. “Ndërhyrja negative që Rusia ka praktikuar në Estoni, Shtetet e Bashkuara, Ukrainë ka mbërritur tani edhe në Maqedoni … aq sa unë jam i shqetësuar”, u shpreh ai.
“Do shkoj të shoh miqtë tanë maqedonas për të bërë të qartë se qëndrojmë krah popullit maqedonas”, deklaroi Sekretari amerikan i Mbrojtjes. Ai theksoi gjithashtu se dëshironte “të sigurohej se do të jenë miqtë tanë maqedonas ata do të vendosin për të ardhmen e vendit të tyre dhe jo të huajt”.
Vizita e Mattis, vjen ndërkohë që Europa dhe SHBA-ja duket se kanë bashkuar forcat në një ofensivë të madhe diplomatike për të çuar përpara referendumin në Maqedoni. Kryeministri Zoran Zaev po pret një nga një pothuajse të gjithë udhëheqësit perëndimorë, në përpjekje për të bindur qytetarët maqedonas të shkojnë drejt kutive të votimit. Pas Merkel, Kurz dhe Shefit të NATO-s, të enjten në Shkup mbërritën shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini dhe ndihmësi i sekretarit amerikan i shtetit për çështjet europiane Wess Mitchell.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.