Politike

SHBA: Qeveria e re e Kosovës të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrjë Kosovës të rikthehen në tryezën e dialogut me Serbinë mënjëherë pas formimit të qeverisë.

Në deklaratën e parë për zgjedhjet në Kosovë, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara presin që udhëheqja e re të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve.

Shtetet e Bashkuara tha zëdhënësi, urojnë popullin e Kosovës për përfundimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare.

"Ne mirëpresim mundësinë të punojmë me një qeveri të re pro-dialog, që të jetë e angazhuar për forcimin e demokracisë dhe paqes, për drejtësi dhe mirëqenie për gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritshmërinë tonë, që udhëheqja e re e Kosovës të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë dhe të punojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve", thotë zëdhënësi në deklaratën për Zërin e Amerikës.

Nga ana tjetër, Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti u takua sot me ambasadorin amerikan në Kosovë Philip Kosnett.

Në një komunikatë drejtuar mediave, Vetëvendosje bën te ditur se Kosnett ka shprehur kënaqësin e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe e për pjesmarrjen e lartë të qytetarëve.

“Në një takim miqësor, ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe uroi kryetarin Kurti për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve. Ai tregoi interesim të veçantë në përparimin kundër korrupsionit, për ekonominë, dhe për përparimin në dialogun me Serbinë, drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon”, u bë e ditur nga VV.

Kurti e ka siguruar ambasadorin amerikan se do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke thënë se do të fillojë me serbët e Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë