Humor

SHBA liston mbretërinë imagjinare si partnere në tregtinë e lirë

Që prej marrjes së Presidencës nga Donald Trump, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në luftë të hapur tregtare me Kinën, kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, kërcënojnë me sanksione Turqinë, kanë rritur tarifat tregtare me Bashkimin Europian dhe anuluan marrëveshjen trepalëshe të tregtisë së lirë me Meksikën dhe Kanadanë.

Por, ka një vend të cilin Departamenti i Agrikulturës e radhit në listën e vendeve partnere të tregtisë së lirë; Mbretëria e Uakandas.

Për ata që nuk e njohin Mbretërinë e Uakandas, gjithçka mund të duket normale. Por ka një problem të madh: Mbretëria e Uakandas nuk ekziston, ose më saktë, ajo ekziston vetëm në filmat fantastiko-shkencorë prodhim i Marvel.

Mbretëria e Uakandas shfaqet në filmin “Pantera e Zezë” dhe është një vend i vendosur diku në Afrikën Lindore, aty ku në realitet ndodhen Etiopia dhe Sudani. Ndryshe nga vendet e tjera afrikane, por edhe të botës, populli uakandas është qindra-mijëra vite më shumë i zhvilluar dhe përdor teknologjinë për t’u maskuar në hartë. Askush nuk është në dijeni të kësaj mbretërie, përveç “popullit vendas” dhe superheronjëve të Marvel.

Tani, përvec këtyre, Mbretëria e Uakandas u zbulua edhe nga Departamenti Amerikan i Agrikulturës dhe jo vetëm kaq, por edhe e listoi këtë mbretëri në listën e vendeve partnere të tregtisë së lirë. Fundja, kush do të refuzonte një marrëveshje tregtare me një vend që qëndron qindra-mijëra vite përpara në teknologji?

Aktori Chadwick Aaron Boseman luan "Panterën e Zezë" në filmin me të njëjtin titull të Marvel Studios. Gazeta Si, 19 dhjetor 2019

Por, megjithë këtë përparim “tregtia” mes SHBA dhe Uakandas, sipas tarifave online të publikuara nga Departamenti Amerikan i Agrokulturës është modeste. Aty tregohet me hollësi se mes dy vendeve janë tregtuar kryesisht rosa, gomerë dhe dema.

Duke lënë mënjanë humorin, “incidenti” ka vendosur në siklet të madh zyrtarët e Departamentit Amerikan të Agrikulturës. Një zëdhënës i këtij Departamenti deklaroi se Mbretëria e Uakandas ishte vendosur në këtë listë aksidentalisht gjatë një testimit të stafit të mirëmbajtjes dhe funksionimit të faqes së internetit.

“Marrëveshja” e pazakontë u zbulua rastësisht nga Francis Tseng, një inxhinier kompjuterik njujorkez, që po rrëmonte në faqen e Departamentit Amerikan të Agrikulturës për t’u njohur me tarifat për llogari të një miku të tijin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë