Politike

Reformë sipas rekomandimeve të ODIHR, SHBA: Nëse shkoni përtej e mbështesim

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim e cilësoi një ditë të gjatë, të lodhshme por relativisht të frytshme këtë të martë, pas thuajse nëntë orësh takimesh me përfaqësuesit e partive politike në Këshillin Politik për çështjen e reformës zgjedhore.

Shoqëruar nga ambasadorët e Bashkimit Europian, Luigi Soreca dhe të Britanisë së Madhe, Duncan Norman, Kim foli për një progres të rëndësishëm që është bërë në afrimin e palëve në disa çështje dhe njoftoi se takimet do të vazhdojnë edhe të mërkurën.

“Të tre ne shpenzuam pothuajse 9 orë me anëtarët e Këshillit Politik për reformënz zgjedhore. Ditë e gjatë dhe e lodhshme, por progresi u arrit. Kjo ishte e vështirë për të gjitha palët e përfshira në dialog. Të gjithëve iu kërkua që të lëshojnë diçka që të fitojë Shqipëria. Ky ishte progresi ynë sot dhe nesër, sepse do të takohemi sërish, është që të arrijmë një produkt që të përmbushë rekomandimet e ODIHR”, deklaroi Kim.

Si ambasadorja amerikane, ashtu edhe ambasadorët Soreca dhe Norman vunë theksin tek rekomandimet e ODIHR, si udhërrëfyes i reformës. Por, kërkesat e Partisë Demokratike për qeveri kujdestare dhe identifikimin biometrik në të gjithë vendin shkojnë përtej këtyre rekomandimeve. Kim e la në dorë të klasës politike shqiptare që të gjejë dakordësi për këto çështje dhe nëse kjo dakordësi gjendet ajo do ta mbështesë.

“Nëse palët arrijnë marrëveshje për masa që shkojnë përtej rekomandimeve të ODIHR ne do t’i mbështesim. Por, nëse konsensusi bie ndesh me rekomandimet e ODIHR ne nuk do t’i pranojmë. Ne duam që Shqipëria të jetë në Europë dhe SHBA do të vazhdojë të bëjë gjithçka për të mbështetur popullin shqiptar”, u shpreh ajo.

Edhe Soreca tha se kufijtë e reformës zgjedhore janë rekomandimet e ODIHR.

“Kufijtë janë rekomandimet e ODIHR dhe kjo është edhe ajo që kërkon Këshilli Europian e që duhet të bëjë edhe Shqipëria”, u shpreh ai.

“Është thelbësore që kjo reformë të përfundojë nesër, që Shqipëria të afrohet me Bashkimin Europian dhe shqiptarët të kenë zgjedhje më të mira. Le ta përfundojmë!”, apeloi britaniku, Duncan Norman.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë