Politike

Pakti, bie qeveria kujdestare, pranohet identifikimi biometrik në të gjithë vendin

Deputetja Rudina Hajdari ka zbardhur disa detaje nga negociatat e gjata mes anëtarëve të Këshillit Politik dhe ambasadorëve të SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe në maratonën e bisedimeve për reformën zgjedhore.

Sipas deputetes, aktualisht e vetmja çështje që ndan palët dhe që pritet që të marrë zgjidhje ditën e mërkurë është depolitizimi i administratës zgjedhore.

Gjatë një interviste për emisionin “Opinion”, Hajdari nënkuptoi se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë tërhequr nga kërkesa për qeverinë kujdestare, ndërkohë që socialistët kanë pranuar përdorimin e identifikimit biometrik në të gjithë vendin.

“Administratën e kemi si çështjen më kyçe, PD kërkon depolitizimin e pjesshëm. Teknologjia u zgjidh, palët ranë dakord. Ka rënë qeveria kujdestare dhe do të ketë identifikim biometrik në të gjithë vendin”, deklaroi ajo.

Nëse mes opozitës dhe mazhorancës ka dakordësi për këtë çështje, që shkon përtej rekomandimeve të OSBE/ODIHR që këshillon shtrirjen graduale të teknologjisë dhe përdorimin e saj në jo më shumë se 10 për qind të elektoratit, atëherë SHBA, sipas deklaratës së Yuri Kim do ta mbështesë atë.

Në lidhje me ndryshimin e sistemit, Rudina Hajdari thotë se ka këmbëngulur deri në fund në kërkesën e saj, por ka hasur në kundërshtimin e vazhdueshëm të PS dhe PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë