Shtetet e Bashkuara zyrtarisht i janë ribashkuar Marrëveshjes së Parisit për klimën, vetëm një muaj pasi presidenti amerikan, Joe Biden i tha Kombeve të Bashkuara në ditën e parë si president, se Uashingtoni dëshiron që sërish të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje.
Rikthimi në Marrëveshjen për klimën më 19 shkurt, u mirëprit nga liderët botërorë, duke theksuar se tani fokusi do të jetë në atë se cilat janë planet e SHBA-së për të zvogëluar nivelet e gazrave serrë, në përpjekje për të luftuar ngrohjen globale.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për klimën, John Kerry së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutterres do të marrin pjesë në hapjen e Samitit për angazhim global, për të shënuar edhe rikthimin e SHBA-së në këtë marrëveshje.
Guterres deklaroi më 8 shkurt se ripranimi i SHBA-së “në vetvete është shumë i rëndësishëm”, ndërkaq shefja e OKB-së për klimën, Christiana Figures tha se është humbur shumë kohë në trajtimin e ndryshimeve klimatike, pa pjesëmarrjen e ekonomisë më të madhe në botë në Marrëveshjen e Parisit.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump më 2017 deklaroi se Uashingtoni do të largohej nga marrëveshja, duke argumentuar se pjesëmarrja në këtë marrëveshje do të sillte disavantazh ekonomik. Vendimi për tërheqjen e SHBA-së nga marrëveshja zyrtarisht hyri në fuqi më 4 nëntor, 2020, vetëm një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, ku Biden mposhti Trumpin.
Që atëherë, SHBA-ja vazhdoi të punonte në zvogëlimin e emetimeve të dioksidit të karbonit, por pa përkrahjen e qeverisë federale. Vendimi për t’iu bashkuar marrëveshjes po shihet si mundësi për SHBA-në që të ketë një qasje më të unifikuar ndaj ndryshimeve klimatike.
Administrata Biden tha se do të njoftojë për synimet e saj për zvogëlimin e emetimeve në Ditën e Tokës në muajin prill. Mbi 120 shtete janë zotuar se deri në mesin e këtij shekulli do të kenë zero emetime të karbonit. (REL)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.