Lajme

SHBA e BE, bashkë për “të pushtuar” Marsin

Aleanca mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian zgjerohet përtej orbitës së Tokës.

Bëhet fjalë për një projekt që synon që për herë të parë të sjellë në Tokë materiale nga një tjetër planet.

Dy agjencitë hapësinore, amerikania NASA dhe europiania ESA nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për një mision të përbashkët në Mars.

“Duam të bashkëpunojmë me ESA-n, por edhe me partnerët e tjerë në këtë drejtim”, deklaroi zv.administratori shkencor i NASA-s, Thomas Zurbuchen.

“Duhet të theksojmë se çdo mision që dërgojmë në Mars zbulon një të re të pazakontë. Kjo duhet të na nxisë për misionin apo misionet e radhës”, u shpreh Dave Parker, drejtor i robotikës në ESA.

Ndonëse është ende në fazën e projektit dhe i paplotësuar në letër, misioni është pagëzuar me emrin MSR (Mars Sample Return). Kjo do të thotë që dy kompanitë synojnë që të dërgojnë në Mars një mision për të mbledhur shkëmbinj të “Planetit të Kuq” dhe për t’i sjellë në Tokë.

Kjo do t’u mundësonte shkencëtarëve që të studiojnë më mirë të shkuarën e këtij planeti dhe me gjasa do t’i jepte një përgjigje përfundimtare pyetjes nëse Marsi ka strehuar apo jo ndonjëherë forma jete.

Marrëveshja u nënshkrua në Berlin dhe mbetet për t’u përcaktuar nëse bëhet fjalë për një mision të komanduar nga Toka, apo me astronautë në bord.

Solving the problem of falsified medications


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë