Bota

SHBA dhe BE kërkojnë lirimin e Navalnyt, u arrestua sapo u kthye në Rusi

Shtetet e Bashkuara dhe disa qeveri evropiane kërkuan lirimin e politikanit rus të opozitës, Alexei Navalny, nga paraburgimi.

Navalny, 44 vjeç, u ndalua nga policia menjëherë pasi fluturimi i tij nga Gjermania zbarkoi në Moskë, të dielën pasdite.

Ai po kthehej në Rusi pesë muaj pas helmimit me agjentin nervor Noviçok, për të cilin ka fajësuar autoritetet ruse.

Qeveria e presidentit Vladimir Putin e mohon helmimin e Navalnyt.

Megjithatë, pohimet e tij janë mbështetur nga raportet e gazetarëve hulumtues.

Duke reaguar ndaj ndalimit të tij, SHBA-ja dhe BE-ja bënë thirrje për lirim të menjëhershëm.

Sekretari amerikan i Shtetit tha se autoritetet ruse po përpiqen t’i heshtin kritikët e tyre.

“Liderët e sigurt politikë nuk kanë frikë nga zërat konkurrues, as nuk kryejnë dhunë, as nuk i ndalojnë padrejtësisht kundërshtarët politikë”, tha Pompeo.

Këshilltari për siguri kombëtare i presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, u shpreh në frymë të ngjashme.

“Sulmet e Kremlinit ndaj Navalnyt nuk janë thjesht shkelje e të drejtave të njeriut, por fyerje e popullit rus, që dëshiron t’i dëgjohet zëri”, tha Jake Sullivan.

Franca, Italia dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Navalnyt.

Navalny u ndalua nën disa akuza të mëhershme për përvetësim fondesh. Sipas Navalnyt, akuzat e tilla janë të motivuara politikisht. (REL)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë