Muzike

"Shaj" e Arilena Arës na çon në Eurovizion

Arilena Ara është një këngëtare e cila, kërkon të rritet gjithnjë e më shumë dhe suksesi i saj më i fundit është Festivali i 58-të në RTSH, ku u shpallur fituese dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës, që këtë vit do të mbahet në Holandë.
Edhe pse përflitej se fituese do të ishte Elvana Gjata, në mes të 12 këngëve finaliste, dukej që “Shaj” e Arilenës ishte më e pëlqyera e publikut, ndërkohë që ajo u prit në sallë me duartrokitje dhe teksa ngriti trofeun lart, tha “Kjo është për ju”.
Gjithashtu ajo shtoi se, nuk këndon për trofe, por për të kënaqur të tjerët. Ndërkohë në një intervistë pas festivalit ajo u shpreh se nuk e kishte menduar asnjëherë se do të fitonte.

https://youtu.be/LHvfwuAGLgU

“Më emocion kam tani sesa para publikut se po shikoj, gjithë këto kamera e nuk di çfarë kam bërë për ta merituar. Dhashë gjithë shpirtin, gjithë muzikën time dhe u përpoqa të artikuloj çdo ndjesi e emocion timin, jam e lumtur që ia arrita dhe që publiku e vlerësoi këngën time, qoftë dhe juria. Tani kam një përgjegjësi më të madhe, nuk e di a jam gati të përfaqësoj një shtet. Zemra po më del nga vendi. Falënderoj publikun që më rriti mua dhe që më solli këtu ku jam sot,” shprehet këngëtarja e cila, është vetëm 21 vjeç dhe ka arritur shumë lart në rrugën e artit.

Për herë të parë Arilena u prezantua në kompeticionin "X Factor" të vitit 2013, kur ajo ishte në një moshë fare të re, vetëm 15 vjeç. Ajo ka nisur që në moshë edhe më të vogël të marrë pjesë në festivalet e fëmijëve, si “Gjeniu i Vogël’. Tashmë ajo është një këngëtare shumë e njohur dhe e dashur për publikun shqiptar dhe më gjerë. Pas suksesit të këngës së parë “Aeroplan” e cila arriti rreth 3 milion klikime në ‘Youtube”, ajo publikoi edhe këngë të tjera si "Business Class" dhe “Vegim” të cilën i’a kishte dedikuar babait të saj, cili ndërroi jetë pak më përpara se Arilena të merrte pjesë në X Factor.

https://youtu.be/QqoNIassKpg

Arilena që prej fillimeve të karrierës së saj u bë e njohur edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Duke nisur me famën që mori kënga “Nëntori” në vitin 2016, këngëtarja lajmëroi për mediat aso kohe se do të zhvillonte një turne në Europë për fansat e saj shqiptarë dhe të huaj. Turneu nisi nga Rumania fillimisht, ku përpos koncertit të saj, Arilena këndoi dhe për finalen e “The Voice of Romania”, më pas vizitoi edhe shtete të tjera si Turqia, Greqia, Rusia, Franca, Italia e të tjera. Arilena është vlerësuar edhe me çmimin “artisti më i vlerësuar nga Bjellorusia”, ku presidenti Alexader Lukashenko e nderoi këngëtaren. Një ndër arritjet më të mëdha të Arilenës ishte edhe pjesëmarrja në festivalin “Europa Plus” në Rusi dhe “Astana Dausy” në Kazakistan.

https://youtu.be/-AKoKgVls54

Arilena dalëngadalë po bëhet një ikonë e muzikës shqiptare. Gjatë fillimit të vitit të kaluar, ajo ishte trajnere në emisionin “The Voice Kids Albania 3” ku deklaroi se ishte e përkushtuar plotësisht për këtë emision dhe dëshironte shumë të përkrahte fëmijët e vegjël.
Këngët e saj më të suksesshme kanë qenë, “Doja”, një bashkëpunim me Flori Mumajesi, "Last Train To Paris" me këngëtari e huaj KDDK, "I’ll give you my heart", "Aeroplan" dhe "Nëntori", ndërkohë që edhe të gjitha këngët e saj janë të preferuara nga publiku në mbarë botën dhe kanë arritur miliona klikime në rrjete të ndryshme muzikore si “Youtube”, “Shazam”, “Itunes”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë