Nga Fatjon Rupi – Një finale në kuptimin e plotë të fjalës. Emocione pa fund, që kulmuan në kohën shtesë, ku fati i buzëqeshi Partizanit në basketboll për femra, që mundi Flamurtarin 89-85. Vajzat e kuqe i kanë sjellë klubit historik në Shqipëri trofeun e parë të Kupës së Shqipërisë. Dhe e kanë bërë si dikur, me një skuadër tërësisht me basketbolliste vendëse, me punë, vullnet dhe besim.
Një trofe i rëndësishëm për skuadrën e drejtuar nga Ledina Koçi. Trajnerja e Partizanit, e lidhur familjarisht me basketbollin (bashkëshorti i saj, Ervin Koçi, është arbitër ndërkombëtar prej vitesh), ka zgjedhur një rrugë që ndoshta është më e vështira për të shkuar te suksesi, por edhe më e bukura dhe me më shumë emocione. Një strategji që bazohet te krijimi dhe jo te “shfrytëzimi”, siç pohon vetë Koçi në intervistën e mëposhtme për Gazeta Si. Tani sfida e saj më madhe është titulli kampion.

Si ndiheni për faktin që i keni dhënë një trofe Partizanit pas shumë vitesh dhe Kupën e parë në historinë e tij?
Kur fiton një trofe lumturia është shumë e madhe, por kur për atë ekip është trofeu i parë në historinë e tij, kjo gjë është akoma dhe më e madhe, pasi ne vendosim emrat në historikun e klubit Partizani.
A ishte një “hakmarrje” ndaj Flamurtarit, ekipit që ka dominuar basketbollin e femrave vitet e fundit?
Në konceptim tim të lojës së basketbollit “hakmarrja” nuk ekziston. Secili ekip lufton për një kosh, për një ndeshje, për një trofe. Pak rëndësi ka kush është kundërshtari. Flamurtari është një ekip me histori dhe kjo e bëri fitoren tonë edhe më të bukur.
Gjatë finales, a patët ndonjë moment frike se mund të humbnit ndeshjen?
Sekondat e fundit të lojës ishin shumë të vështira, mund të nxirrnin fitues këdo, por ne besuam fort deri në fund dhe ia dolëm.

Si e kishit përgatitur atë ndeshje, cilat janë pikat e forta të Partizanit në lojë?
Ndeshja ishte e përgatitur mbi njohjen e kundërshtarit, pasi kishim zhvilluar edhe tri ndeshje më parë. Pika e fortë e skuadrës është se ne jemi skuadër, është puna në grup.
Keni një skuadër vetëm me lojtare vendëse. Është një strategji e klubit, apo zgjedhja juaj personale si trajnerë?
Është zgjedhja ime personale, sfidë e imja ndaj mentalitetit të krijuar vitet e fundit për të fituar me lojtarë të huaj. Mendoj që duhet edhe të krijosh, jo vetëm të “shfrytëzosh”. Për këtë projekt kam gjetur mbështetjen maksimale dhe pa kushte të shefit të klubit Shkëlqim Muça dhe inspektorit të klubit, të cilin e kam pasur pranë çdo moment, Elton Stafën.
A ka Partizani një lidere, cilat janë lojtaret ku ju mbështeteni më shumë?
Kjo është e veçanta e skuadrës sonë, se lideri është fryma e grupit dhe mbështetja jonë është çdo lojtare e skuadrës.
Sa e vështirë është të drejtosh dhe të stërvitësh një skuadër basketbolli në kushte pandemie?
Të stërvitësh një skuadër basketbolli në Shqipëri është shumë e vështirë në kohë normale dhe jo me në pandemi…

A është skuadra aktuale në gjendje të hapë një cikël të ri fitues në basketbollin e femrave?
Nuk di të them që do të hap një cikël apo jo, por di të them që sapo fituam një trofe dhe objektivi ynë, ashtu si çdo skuadër në çdo sport, është të fitojë ndeshjen e radhës. Për më tutje t’ia lëmë kohës dhe fushës.
Nga rivalët, cilët janë ekipet që vlerësoni më shumë?
Vlerësoj Tiranën, pasi është në të njëjtën filozofi pune si e jona, por edhe të gjitha ekipet, të cilat po përpiqen të ngrenë vajzat vendase.
Cilat janë objektivat e të ardhmes së afërt?
Objektivi që thashë edhe pak më lart, fitorja e çdo ndeshjeje të radhës dhe ruajtja dhe konsolidimi i këtij grupi.

Cila është sfida juaj më e madhe si trajnere?
Sfida më e madhe që i kam vënë vetes është të dalim kampionë të Shqipërisë vetëm me lojtare vendëse.
Duket sikur është viti i kuq, me 3 kupa të fituara deri tani. Mund të jetë një ogur i mirë edhe për ekipin e futbollit?
Shpresoj, i urojmë fat edhe ekipit të futbollit!
Sa ju mungojnë tifozët në këtë periudhë?
Tifozët janë një pikë shumë e fortë, por nuk na mungojnë vetëm ne, tifozët i mungojnë çdo sporti aktualisht. Sporti dhe arti ishin ata që e vuajtën dhe e përjetuan më shumë mungesën e spektatorëve dhe tifozëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.