Pas thirrjes për korrigjim vullnetar, pagim të detyrimeve nga ana e tatimpaguesëve dhe shpërblim për këta të fundit nga ana e administratës tatimore, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Vasilika Vjero ka dalë vetë përpara mediave për të kërkuar ndihmë tek qytetari digjital turist për të raportuar me sms, telefona apo foto për bizneset në zonat turistike që nuk funksionojnë konform ligjit.
“Ndaj për këto sipërmarrje të cilat tregojnë përgjegjshmëri në ushtrimin e aktivitetit të tyre administra tatimore do të vijojë të ketë një qasje shumë pozitive, duke reduktuar kontrollet tatimore për sa kohë ata do të vijojnë të vetëdeklarojnë dhe paguajnë rregullisht detyrimet. E kundërta do të ndodhë me ata tatimpagues, të cilët kërkojnë t'i fshihen administratës tatimore. duke krijuar së pari një pandershmëri në konkurrencë e së dyti duke shmangur detyrimet ligjore”, tha Drejtoresha Vjero.
Sipas saj, gjatë prezencës së strukturave tatimore në terren është konstatuar se vijon të ketë ende tatimpagues, të cilët ushtrojnë aktivitet të paregjistruar, apo që ende nuk e kanë aktivizuar atë, që nuk lëshojnë kupon tatimor për çdo shitje, që nuk disponojnë fatura të produkteve apo shërbimeve, apo nuk regjistrojnë punonjësit.
“Nuk do të ketë asnjë tolerancë nga administrata tatimore në funksion të zbatimit të ligjshmërisë së kërtyre bizneseve deri në mbyllje të aktiviteteve të tyre për një përiudhë 30 ditore çka do të dëmtonte realisht aktivitetin e tyre. Sigurisht që ne nuk e dëshirojmë një gjë të tillë, por përpara ligjit janë të gjithë të barabartë. Ndaj zero tolerancë për këdo që mendon se mund të ushtrojë aktivitet të paligjshëm apo mendon se mund t’iu devijojë detyrimeve ligjore”, u shpreh ajo.
Prandaj administrata tatimore ka vënë në dispozicion numrin e gjelbër :08001414 , adresën elektornike: [email protected] ose dhe nr 0697073733 për foto e filmime.
Strukturat e Zbatimit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kanë nisur verifikimet në terren për të siguruar mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Vizita e paru u realizuan dy ditë më parë në disa subjekte në zonën e Gjirit të Lalzit, në Durrës, dhe do të vijohet në të gjitha zonat turistike të vendit ku do të verifikohen më shumë se 20,000 tatimpagues.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.