Motosport

Sezoni i ri, Formula 1 nis më 28 mars në Bahrein

Pandemia Covid-19 ka bërë që sezoni 2021 në Formula 1 të pësojë ndryshimet e para në kalendarin e garave. Përmes një komunikimi në rrjetet sociale, Liberty Media ka bërë me dije se botërori 2021 do të nisë më 28 mars, në Bahrejn.

https://twitter.com/F1/status/1348902844401901568

Starti i sezonit nuk do të jetë në Australi, por në Bahrejn, ku pas një muaji do të zhvillohen edhe testet dimërore. Gara e Australisë është shtyrë për më 21 nëntor: një shtyrje me tetë muaj dhe një lloj kthimi “i papritur” në të lashtën, kur GP i Australisë zhvillohej në cirkuitin qytetas të Adelaides për një dekadë të tërë (nga 1985 në 1995), që u mbyll me kalimin e garës nga gara e fundit në të parën e Kampionatit Botëror dhe transferimin e saj në Melburn. Rikthehet në kalendar gara e Imola (Itali), që do të zhvillohet më 18 prill, datë që ishte lënë bosh në kalendarin e mëparshëm.

Formula 1 është ende duke ndjekur situatën që do të paraqitet muajt e ardhshëm nga pandemia Covid-19. Në vitin 2020, organizatorët u detyruan që ta nisnin sezonin në muajin korrik dhe të reduktonin numrin e garave, për të shpëtuar sezonin. Një problematikë e ngjashme mund t’i ndjekë edhe këtë vit, por gjithçka pritet që të mirë-mendohet, për të evituar çdo surprizë të pakëndshme gjatë rrugës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë