Futboll

Seria A humb më shumë se 1 miliard, Juve-Inter më të goditurit e krizës

Pasojat e pandemisë së gjatë të koronavirusit kanë shtyrë sitin “Transfermarkt” (i specializuar për vlerat e lojtarëve në treg) të bëjë një hap që deri pak muaj më parë dukej i paimagjinueshëm. Efekti i krizës do të ndihet shumë në futboll, sidomos në kampionatet më të fortë të Europës, që kanë edhe futbollistët më të shtrenjtë.

Një rënie drastike do të ketë vlera e Serisë A në treg, një kampionat i renditur i treti më i rëndësishëm në Europë. E para është Premier League dhe e dyta La Liga. Kampionati italian do të ketë një rënie prej më shumë se 1 miliard eurosh (-18.75% e totalit). Pasoja të vogla për Bundesligën (-908 milionë), një kampionat i mbushur me të rinj të talentuar.

Paulo Dibala feston një gol. Gazeta Si, 8 prill 2020

Lojtari më i goditur nga kriza aktuale në Serinë A është Paulo Dibala, i cili vlen 18 milionë euro më pak, por është më i shtrenjti i kampionatit dhe qëndron para dyshes së Interit, Eriksen-Lukaku, që të dy me vlerën 68 milionë euro (-17 milioni nga vlera e mëparshme në treg). Mathijs de Ligt humbet vetëm 7.5 milionë dhe qëndron në vend të 4-t të klasifikimit të më të çmuarve të Italisë.

Edhe vlera e klube të Serisë A ulet jo pak. Juventusi është më i godituri, pasi vlen 140.8 milionë më pak, Interi vjen më pas me 132 milionë më pak dhe Napoli 120 milionë më pak. Kuptohet që vlerat e lojtarëve dhe skuadrave në treg do të binin në këtë krizë ndërkombëtare. Jo më kot pjesa më e madhe e figurave të futbollit dhe drejtuesve të ndryshëm janë pro shkurtimit të pagave të lojtarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë