Lajme

Serbia mendon izolimin total të qytetarëve për 2 javë

Shtimi relativisht i vrullshëm i rasteve të reja me të infektuar nga koronavirusi i ri dhe rritja edhe e numrit të vdekjeve kanë shtuar zërat në Serbi që kërkojnë ndalim të plotë të lëvizjes, 24 orë në 24 për dy javë rresht.

Ideja është hedhur nga disa ekspertë vendas, që së bashku me të propozojnë që përgjatë kësaj periudhe karantinimi total shteti të marrë përsipër furnizimin e qytetarëve në banesa me ushqime, ilaçe dhe materiale të tjera të domosdoshme.

Por, Predrag Kon, pjesë e ekipit të emergjencës që është ngritur për t’u përballuar me situatën e cilësoi të panevojshme këtë masë kaq ekstreme, të paktën për momentin.

“Teorikisht dhe praktikisht është e pamundur që virusi të mbijetojë nëse nuk kemi kontakte 24 orë në 24 për 14 ditë. Megjithatë, përshkallëzimi i masave të izolimit do të kishte kuptim nëse do të kishim një numër të pakontrollueshëm rastesh të reja, apo vdekjesh. Për momentin e shoh të parealizueshme këtë, por mbetet si një mundësi e fundit”, tha ai.

Serbia numëron zyrtarisht 785 të infektuar nga Covid-19 dhe 16 të vdekur si pasojë e virusit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë