Bota

Serbia me tre vaksina anti-Covid, nis vaksinimin masiv të qytetarëve

Pasi siguroi mijëra doza nga tre vaksinat Pfizer, Sputnik dhe SinoPharm, Serbia nis të martën vaksinimin masiv të popullsisë.

Lajmi është njoftuar nga Kryeministrja Ana Bërnabiç. Vaksinimi përfshin mësuesit, punonjësit e ushtrisë, të Ministrisë së Brendshme dhe punonjësit e medias. Bërnabiç tha se përfaqësuesit e medias ishin përfshirë në këtë kategori me kërkesën e Presidentit Aleksandër Vuçiç.

“Nga nesër fillon vaksinimi masiv i popullsisë. Ftojmë qytetarët që të aplikojnë dhe regjistrohen për t’u vaksinuar sa më shumë që të jetë e mundur”, tha Kryeministrja serbe në një deklaratë për mediat.

Bërnabiç tha se objektivi i qeverisë është që falë vaksinimit të popullsisë brenda këtij viti vendi t’i rikthehet normalitetit.

Serbia ka miratuar për përdorim në vend tre vaksina; rusen Sputnik V, vaksinën e kompanisë Pfizer/BioNTech dhe vaksinën kineze Sinopharm, ndërkohë që brenda dy muajve synon që të fusë në treg edhe vaksinat e AstraZenecas dhe Modernas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë