Lajme

Serbia fyen Kosovën, Prishtina dhe Tirana braktisin mbledhjen e CEFTA-s

Edhe pse pritej të “ulte gjakrat, mbledhja e CEFTA-s në Prishtinë ka ngritur edhe më shumë tensionet mes Serbisë dhe Kosovës, pasi Beogradi zyrtar i është referuar sërish Kosovës si institucione të përkohshme.

Delegacionet e Prishtinës dhe Tiranës kanë braktisur menjëherë mbledhjen, ndërkohë që duke bërë që qeveria serbe të vërshojë më një breshëri kritikash ndaj dy qeverive.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Endrit Shala, ka bërë të ditur për Radion Europa e Lirë takimi i CEFTA-s u mbyll pasi përfaqësuesi serb i është referuar Kosovës si ‘institucione të përkohshme’ dhe ‘UNMIK’.

“Unë sot nuk kam qenë pjesëmarrës në takimin përmbyllës të Javës së CEFTA-s, por, paraprakisht i kam kërkuar stafit tim, kryesuesit të CEFTA-s, dhe shefit të kabinetit tim që Kosova të mos trajtohet ndryshe, por vetëm si shtet i pavarur", ka thënë ai.


“Në mëngjes zyrtarët serb ranë dakort për mënyrën sesi duhet t’i referohen Kosovës, por në momentin që ka filluar mbledhja, përfaqësuesi serb e ka quajtur Kosovën si institucione të përkohshme vetëqeverisëse dhe UNMIK”, rrëfen Shala. “Ka qenë kryesuesi i CEFTA-s ai që ka ndërprerë mbledhjen duke j’ua ndaluar zyrtarëve serbë t’i referohen Kosovës në atë formë”, sqaron ai.

Serbia dhe Bosnje Hercegovina kishin paralajmëruar se do të bojkotonin takimet e radhës në Prishtinë në kuadër të Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjes së taksës doganore, por në momentin e fundit duket vendosen të merrnin pjesë.

Por, ashtu si në mbledhjen e fundit me përfaqësues të Bashkimit Europian, ata nuk kanë pranuar që t’i referohen Kosovës si republikë. Ky rast u soll në vëmendje edhe nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Pejë. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale i qeverisë së Kosovës më tregonte mbrëmë se si në Beograd, deri në 2 të natës, me anë të të dërguarve të Europës i kërkonin të hiqte fjalën Republika e Kosovës nga fjalimi që do mbante të nesërmen në një mbledhje të përbashkët ku edhe Kosova ishte e pranishme me vullnetin e mirë për të nënshkruar një deklaratë të përbashkët në rrugën e paqtimit dhe të bashkëpunimit rajonal.“What the fuck!” – do thuhej në gjuhën e Parlamentit Europian”, deklaroi Rama dy javë më parë.

Endrit Shala dhe kryeministri Edi Rama


Megjithatë, braktisja e kësaj mbledhjeje nga ana e delegacioneve shqiptare është parë si një akt provokimi nga ana e Beogradit zyrtar. Përmes një komunikate për mediat, qeveria e Serbisë ka thënë se delegacionet e Prishtinës dhe Tiranës kanë refuzuar të zgjidhin problemet në mënyrë paqësore.

“Përmes braktisjes së takimit të dyja delegacionet kanë sabotuar përpjekjet që përmes rrugëve paqësore të diskutohet për zgjidhjen e problemeve”, deklaroi Beogradi, i cili ka dhënë si gjithnjë versionin e tij për incidentin diplomatik.

Menjëherë pas fjalës së përfaqësuesit të Qeverisë së Republikës së Serbisë, përfaqësuesit e Institucioneve të përkohshme të qeverisjes të Prishtinës braktisën mbledhjen. Pas tyre nga mbledhja u largua edhe delegacioni i Shqipërisë”-thuhet në deklaratën e qeverisë serbe. “Pavarësisht tensioneve të larta mes Beogradit e Prishtinës, përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Serbisë ishin të pranishëm në mbledhjen e rregullt të Komitetit të përbashkët të CEFTA-s në Prishtinë për të dërguar kështu edhe një herë mesazhin e paqes dhe të tolerancës dhe për të demonstruar vullnetin e mirë për të zgjidhur çështjen e vendosjes së taksës nga Institucionet e përkohshme të qeverisjes në Prishtinë”, shton me tej Beogradi.

Duke iu referuar Kosovës si institucione të përkohshme, Përfaqësuesi i Serbisë ka përsëritur se pret që Prishtina të tërheqë menjëherë masat radikale që shkelin

Ndërkohë, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Zahir Tanin u ka bërë thirrje liderëve të të gjitha palëve që të demonstrojnë maturi më të madhe dhe të shmangin provokimet e mëtejshme që mund të rrezikojnë gjasat për normalizimin e marrëdhënieve dhe të çojnë përshkallëzimin e tensioneve.

Incidenti diplomatik në Beograd erdhi pak pasi kryeministrja e Serbisë sugjeroi të mërkurën që Beogradi të ndërhyjë ushtarakisht nëse Prishtina krijon ushtrinë e saj.

Deklarata e Ana Brnabiç vjen mes një situate mjaft te tensionuar mes dy vendve. Parlamenti Kosovës pritet të votojë më 14 dhjetor nëse do të transformojë forcat e mbrojtjes në një ushtri të rregullt. Edhe pse ky proces mund të marrë vite, politikanët serbë kanë reaguar me tonë të ashpëra, duke deklaruar se Prishtina mund të përdorë ushtrinë për të dëbuar serbët e mbetur nga Kosova, një akuzë e mohuar nga udhëheqësit shqiptarë, të cilët kanë marrë mbështetjen e Bashkimit Europian dhe SHBA-së për transformimin e ushtrisë.

“Unë shpresoj se nuk do të na duhet ta përdorim ushtrinë, por kjo është aktualisht një nga opsionet në tryezë pasi nuk duam ta shikojmë këtë spastrim etnik”, u tha gazetarëve në Beograd kryeministrja Ana Brnabiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë