Sot në Mal të Zi do të mbërrijë kontigjenti i parë me vaksina kundër koronavirusit të cilat janë dhuratë nga Serbia.
Ministrja e Shëndetësisë në Mal të Zi, Jelena Boroviniq-Bojoviq konfirmoi se 2,000 dozat e vaksinës ruse Sputnik V do të mbërrijnë nga Serbia. Kjo lëvizje vjen pasi Begradi i dhuroi mbi 4500 mijë doza të vaksinës së Pfizer Maqedonisë së Veriut.
"Dy mijë doza tjera do të arrijnë në ditët në vijim. Qeveria ka kryer disa negociata dypalëshe në dy muajt e fundit për të siguruar vaksinën dhe rezultatet e para të tyre janë me Serbinë", tha ajo.
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha se kishte rënë dakord me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, mbi detajet e pranimit të vaksinave.
Abazoviq i tha gazetës "Vijesti" se "Qeveria e Malit të Zi shpreh mirënjohje të thellë për këtë gjest njerëzor".
Ministrja e Shëndetësisë ka bërë të ditur se Mali i Zi pret furnizim me vaksinën ruse, e cila është siguruar nga negociatat e drejtpërdrejta me Rusinë. Sipas saj, Mali i Zi do të furnizohet edhe me vaksinën kineze dhe të gjermano-amerikane Pfizer/BioNtech.
Mali i Zi, i cili renditet i pari në rajon me 1,376 të infektuar me koronavirus për 100,000 banorë, është ndër vendet e fundit në rajon që fillon imunizimin kundër COVID-19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.