Lajme

Serbi Steven Seagal ndërmjetëson normalizimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi

Në filmat ku është protagonist, në rastin më të mirë kundërshtarët e tij përfundojnë me kocka e brinjë të thyera dhe në rastin më të keq të vdekur.

Por, në botën reale, aktorit Steven Seagal do t’i duhet që të heqë dorë nga dhuna e të bindë dy kundërshtarë të mëdhenj që të lënë menjëanë mëritë e të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre.

Aktori, që veç shtetësisë amerikane gëzon edhe ato ruse e serbe është ngarkuar me një mision të vështirë nga Vladimir Putin; atë të përfaqësuesit të posaçëm për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministria e Jashtme ruse bëri njoftimin përmes faqeve të saj në rrjetet sociale. Seagal duhet që detyrën e re ta kryejë për “pasion”, pasi emërimi nuk paguhet, por është i ngjashëm me emërimet e Kombeve të Bashkuara për Ambasadorë të Paqes. Detyra e aktorit është e thjeshtë, të promovojë marrëdhëniet SHBA-Rusi në sferën njerëzore.

https://www.facebook.com/MIDRussia/photos/a.480802735352506.1073741861.264205757012206/1425643507535086/?type=3&theater

Seagal është i njohur për afërsinë e tij me Vladimir Putin dhe së bashku me aktorin francez, Gerard Depardieu janë dy yjet e kinemasë që kanë marrë shtetësinë ruse drejtpërdrejt nga duart e shefit të Kremlinit.

“Vladimir Putin është një prej udhëheqësve më të mëdhenj sot në botë”, deklaronte Seagal në vitin 2016, kohë kur merrte shtetësinë ruse, duke shtuar se shpresonte që marrëdhëniet mes Moskës e Uashingtonit të përmirësohen.

Po në 2016 ai mori edhe shtetësinë serbe pas disa vizitave në Beograd, ndërsa më vonë, ndoshta edhe si shtetas rus, u rendit mes zërave të paktë që mohonin ndërhyrjen ruse në zgjedhje presidenciale amerikane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë