Bota

Serbi, raportime kërcënuese për bomba në urat dhe shkollat e Beogradit

Gazeta Si - Pas raportimeve kërcënuese për bomba në shkollat fillore të Beogradit, pasditen e 16 majit pati kërcënime të reja.

Këtë herë, ashtu siç raporton REL, u tha se ishin vendosur bomba në urat në Beograd, si dhe në qendrën tregtare “Stadiumi” (Stadion), konfirmoi Ministria e Punëve të Brendshme për Radio Televizionin e Serbisë (RTS).

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, tha se Ura e Brankos, Ura e Gazelës, Ura e re hekurudhore, si dhe Ura e Pançevës, janë ndër lokacionet ku janë marrë raportimet për bomba.

Raportimi për bombë ka arritur edhe në qendrën tregtare “Stadiumi” në Beograd, ku në orën 16:30 do të luhej ndeshja mes KF Vozhdovcit dhe KF Partizanit.

Raportimet për bombat e vendosura kanë arritur në mëngjesin e 16 majit, në 97 shkolla fillore dhe të mesme të Beogradit.

Ndërkaq, pas verifikimeve në një numër të madh shkollash është konstatuar se kërcënimet ishin të rreme, njoftoi Ministria e Arsimit e Serbisë.

Nxënësit janë kthyer në mësime, ndërsa në shkollat, ku ende vazhdon inspektimi i sigurisë, nxënësit janë dërguar në shtëpi, thuhet në komunikatën e ministrisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë