Kosova

Serbët në Veri të Kosovës përforcojnë bllokadat

Serbët që kanë bllokuar prej katër ditësh kalimet kufitare në Veri të Kosovës, duket se nuk janë ndërmend të tërhiqen.

Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten se qytetarët serbë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak kanë përforcuar bllokadat me zhavorr.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, përveç këtyre përforcimeve, situata vazhdon të jetë e njëjtë, pa incidente.

“Situata është pothuajse e njëjtë. Ka pengesa në të dyja anët”, ka thënë Kelani.

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin targa të përkohshme të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për target, duke thënë se Serbia po e aplikon këtë praktikë për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës, ku popullsia është shumicë serbe, janë bllokuar nga banorët lokalë që e kundërshtojnë vendimin për reciprocitet.

Rendi po ruhet nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i heqin plotësisht targat e përkohshme për të zgjidhur situatën e krijuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë