Kosova

“Reciprociteti i targave, çmim i lartë për t’u paguar nga Kosova!”

Nga Gisela Troplini - Z.Emir Abrashi, hulumtues i Politikës së Jashtme i Organizatës Demokraci Plus në Kosovë, e cilëson vendimin e reciprociteti të targave me Serbinë si një vendim me “çmim të lartë për t’u paguar”, për shtetin e Kosovës, në rast se bëhet shkak për ndërprerjen e dialogut. Kjo situatë kaotike - thotë ai për Gazetasi.al - i shton një tjetër barrë Kosovës, siç është dështimi në procesin e dialogut sepse“ ndryshe nga Serbia, ne nuk kemi një alternativë tjetër përpos përafrimit me Bashkimin Europian dhe thellimit të bashkëpunimit me aleatët tanë perëndimor. .”

Ai përmend qytetarët e Preshevës si më të prekurit nga kjo ngjarje pasi ato në baza ditore lëvizin në Kosovë.

Z.Abrashi shprehet se një ngjarje e tillë është stimuluar edhe nga fakti që Kosova po zhvillon fushatën për zgjedhjet lokale dhe siç dihet, në raste të tilla ngrihen tonet nacionaliste dhe populiste me qëllim fitimin e votave. Por edhe Serbia do të mbajë zgjedhjet vendore në pranverë dhe mund “të marrë hak”.

Emir Abrashi, hulumtues i Politikës së Jashtme i Organizatës Demokraci Plus

- Pse u mor një vendim i tillë dhe cilat do të jenë pasojat?

Shkaku i vendosjes së reciprocitetit për targat me Serbinë është tek skadimi i vlefshmërisë së Marrëveshjes për përdorimin e targave neutrale “KS” të cilat lëshoheshin nga ana e autoriteteve kosovare e të cilat njiheshin nga autoritetet serbe. Ata qytetarë të Kosovës të cilët dëshironin të lëviznin në territorin e Serbisë me targa “RKS”, detyroheshin që të njëjtat t’i ndërronin me targa të përkohshme, të njohura si “Proba”, të cilat merreshin në kufi dhe kishin validitet të kufizuar në 60 ditë.

Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i tërhequr nga përdorimi targat “KS” dhe për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë në çështjen e targave, është i drejtë, mirëpo prekë më së shumti qytetarët e Luginës së Preshevës, të cilët vijnë në Kosovë në baza ditore, qoftë për punësim apo shkollim, prandaj edhe duhet të gjendet një modalitet për t’ua lehtësuar atyre këtë barrë.

Problematikë tjetër e këtij vendimi, është marrja e këtij vendimi pa konsultim me aleatët tanë perëndimor – duke i zënë të papërgatitur edhe ata me këtë vendim, dhe rrjedhimisht duke nxitur një reagim të ashpër, por jo edhe proporcional, të autoriteteve serbe.

Pra, nuk ka dyshim që ky vendim është i drejtë, por mendoj se do të duhej të kishte një debat më shterrues brenda vendit para marrjes së këtij vendimi – në mënyrë që të parashihen edhe pasojat e mundshme që mund të rrjedhin nga ky vendim. Këtu, duhet pasur parasysh se në të kaluarën, qeveritë e Kosovës kanë marrë vendime të ashpëra e të shpejta – e edhe të drejta -  siç është rasti me taksën 100% të vendosur nga Qeveria Haradinaj si kundër-përgjigje ndaj fushatës së egër diplomatike të Serbisë për ç’njohjet e Kosovës. Megjithatë, ai vendim, ani pse i drejtë, u bë shkak për bllokimin e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa neve na ngeli barra për bllokimin e dialogut. Ky vendim kishte për pasojë e humbjes së mundësisë për liberalizim të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës në pako me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, dhe rezultoi me një ‘izolim’ ndërkombëtar për Kosovën.

Si përfundim, pra, një vendim sado i drejtë të jetë, në rast se Kosovës i vë mbi supe barrën për dështimet në procesin e dialogut, është një çmim i lartë për tu paguar. Kjo pasi që për dallim nga Serbia, ne nuk kemi një alternativë tjetër përpos përafrimit me Bashkimin Europian dhe thellimit të bashkëpunimit me aleatët tanë perëndimor.

- Çfarë ndikimi do të ketë ngjarja në politkat e jashtme dhe të brendshme të shtetit të Kosovës?

Ende mbetet të shihet qëndrimi të cilin do ta mbajnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian lidhur me vendosjen e kësaj mase, dhe nëse do ta kërkojnë një pezullim të përkohshëm të kësaj mase apo jo. Megjithatë, është e qartë se Serbia do ta shfrytëzoj këtë si pretekst për të bllokuar procesin e dialogut, për të mos lejuar integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, për të mos respektuar marrëveshjet e arritura deri më tani në Bruksel si dhe për të vazhduar fushatën e egër të ç’njohjeve.

Duhet bërë e qartë se përderisa flasim për vendosje reciprociteti, nuk mundet askush të ndërmarrë masa ndaj Kosovës, pasi që vetë parimi i reciprocitet është parim që të gjitha vendet e përdorin në raport me vende të tjera.

Megjithatë, Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të dijë që të manovrojë me këtë situatë, duke u munduar me çdo kusht që Kosovës të mos i ngelet edhe një herë faji për bllokimin e dialogut – ani pse Serbia do ta luaj këtë kartë në të gjitha rastet. Pra, nëse Qeveria e Kosovës nuk di që ta menaxhojë këtë situatë edhe përmes komunikimit me aleatët tanë, neve rrezikojmë që edhe më tej të humbasim momentume të cilat Kosova nuk e ka luksin t’i humbasë.

- A mendoni se vendimi pikërisht në këto momente mund të jetë shtyrë edhe nga zgjedhjet locale që do të mbahen më 17 tetor në Kosovë?

Koha kur është vendosur kjo masë, padyshim që lë përshtypjen se kjo masë është vendosur me qëllim të nxitjes së sentimentit nacionalist, dhe me qëllim të fitimit të ndonjë poeni politik aty-këtu. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se kjo është bërë pas skadimit të marrëveshjes për targat.

Duhet të kemi parasysh që në kohë fushatë, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin, ngriten tonet nacionaliste dhe populiste, me qëllim të makimalizimit të votës. Dhe fakti që Kosova ndodhet në fushatë elektorale, e bën këtë kohë ideale për shumicën qeverisëse për vendosjen e një maseje të tillë. Në anën tjetër, Serbia do të ketë zgjedhje të përgjithshme në pranverën e vitit të ardhshëm, dhe kjo e krijon një mundësi të mirë edhe për politikanët serbë që të bëjnë fushatë dhe t’i rrisin tonet nacionaliste e populiste kundër një “poshtërimi” të tillë nga Kosova.

Kjo pra është një dukuri që na ndjekë sa herë që kemi fushata, dhe për këtë pati folur edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, kur pati thënë se nuk mund të ketë një rikthim efektiv në procesin e dialogut pa përfunduar ciklet zgjedhore edhe në Kosovë edhe në Serbi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë