Rend dhe Ligj

Serat me kanabis/ Shkarkohet zinxhiri drejtues i Policisë së Beratit, 7 oficerë të përjashtuar

Gazeta Si – Ferma e kanabisit e zbuluar dy javë më parë në Berat, ka “djegur” të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Beratit.

Pas lëvizjes së kreut të policisë Edmond Tarkaj, këtë të martë drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka përjashtuar nga detyra 7 oficerë të tjerë.

Vendimi u mor pas zbulimit të serave me kanabis që u gjetën në fshatin Drenovicë të Beratit. Gjatë analizës së punës, u vendos që drejtori i Policisë së Beratit Edmond Tarkaj të ulet në gradë për 6 muaj, duke u larguar nga drejtimi.

LEXO EDHE:
– Rrëfimi i grave të fermës me kanabis në Berat: Na morën për të vjelur ullinj, pazari ishte i mirë. Policia: Kishin dijeni për punën që do të kryenin
– Video/ Dhjetëra të arrestuar në fermën e kanabisit në Berat. Punëtoret flinin në serë dhe paguheshin 50 mijë lekë dita

Ai është transferuar në Akademinë e Sigurisë, ndërkohë që Kastriot Skënderaj u emërua drejtori i ri i Policisë së Beratit.

Gjithashtu, për shkelje të rëndë, u përjashtuan nga Policia e Shtetit 7 punonjës, konkretisht: kryekomisari Baku Musaku me detyrë shef sektori, kryekomisari Sokol Lazaj shef komisariati, komisar Ardit Hasanbegaj shef i seksionit për krimet, nënkomisar Artan Musaj shef i stacionit të Policisë Dimal, nënkomisar Miço Rakazija specialist për krimet në Dimal, inspektor Vladimir Toska ndihmës specialist për policimin në komunitet në Dimal dhe inspektori Gazment Sulaj ndihmës specialist për policimin në komunitet në Dimal.

Gjithashtu, është vendosur dhënia e masave disiplinore “Vërejtje me paralajmërim”, për 8 punonjës policie si dhe është vendosur shtyrja e afatit të gradimit me 2 vjet për 2 punonjës të tjerë policie.

Hetimi është në duart e prokurorisë së Beratit e cila po heton veprimtarinë e 11 personave të arrestuar si organizatorë të kësaj veprimtarie kriminale dhe po verifikon rolin edhe të 95 punonjëseve gra të cilat përpunonin hashashin.

Prokuroria po verifikon nëse kjo kompani e mirëfilltë hashashi ka marrë garanci nga struktura të veçanta në policinë vendore. Hetimi po asistohet edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes policore.

Serat me lëndë narkotike u zbuluan nga policia në datën 10 Nëntor, gjatë operacionit të koduar “Stuhia”. Policia gjeti dhe sekuestroi brenda këtyre serave 8 thasë me boçe kanabisi me peshë 871 kilogramë dhe 700 arka të mbushura me kanabis në proces tharje.

11 persona u arrestuan nga policia gjatë aksionit, të cilët dyshohen si organizatorë të kësaj veprimtarie kriminale.

Gjykata e e Beratit dha masën e sigurisë “arrest me burg” për të 11 të dyshuarit, ku 4 prej tyre ishin anëtarë të një familjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë