Drejtësia

Sera me bimë narkotike, policia operacion në pyjet e Gramshit. Tre të arrestuar dhe dy në kërkim

Nga Gazeta Si- Është finalizuar pas një hetimi disamujor operacioni policor i koduar "Katerlisi", për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, në fazë fillestare.

Gjatë operacionit janë vënë në pranga 3 persona, ku dy prej tyre u kapën në flagrancë në njërën nga serat.

Shtetasit kishin përshtatur 3 ambiente si sera, në pyllin e fshatit Katerlis, në të cilat kishin kultivuar 792 fidanë narkotikë.

Ndërkohë, vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.  

Gjithashtu, procedohen në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrës, kryeplaku i fshatit Katerlis dhe inxhinieri i mjedisit.  

Të arrestuar janë shtetasit:

-S. B., 28 vjeç, banues në Dimal

-V. M., 56 vjeç, banues në Dimal

-L. G., 30 vjeç,

Shtetasit S. B. dhe V. M. janë kapur në flagrancë në njërën nga serat, ndërsa shtetasi L. G. është kapur në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kuçovë. 

Gjithashtu, vijon puna për kapjen e shtetasve G. G., 43 vjeç dhe I. Z., 47 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Me tej, në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit Xh. M., 32 vjeç, me detyrë inxhinier mjedisi dhe S. Ll., 61 vjeç, kryeplaku i fshatit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, ndërkohë që vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë