Politike

Senati i heq imunitetin, Salvini drejt gjyqit për emigrantët

Senati italian i hoqi imunitetin Mateo Salvinit duke ngritur traun që pengonte drejtësinë italiane që ta merrte të pandehur për akuzën e bllokimit të refugjatëve në det të hapur gjatë kohës që kreu i “Lega Nord” mbante postin e ministrit të Brendshëm.

Ndaj Salvinit rëndon akuza e mbajtjes për ditë me radhë në det të hapur në brigjet e Siçilisë në mënyrë të paligjshme të qindra emigrantëve në muajin korrik të 2019. Rreth 116 emigrantë mbetën në bordin e anijes “Gregoretti” për afër një javë në atë kohë.

Senati i dha dritën jeshile këtë të mërkurë gjykimit për të. Vetë Salvini sfidoi ligjvënësit duke kërkuar që t’i hiqnin imunitetin dhe të përballej me akuzat në gjykatë, për t’i treguar botës se “politikat e tij të emigracionit shpëtuan mijëra jetë”.

“Jam i qetë dhe krenar për atë që kam bërë dhe do ta bëj sërish sapo të rikthehem në pushtet”, deklaroi ai.

Senatorët e Lega Nord u larguan nga salla para hedhjes së votimit dhe nuk morën pjesë në të.

Sipas ligjeve italiane, ministrat dhe deputetët gëzojnë imunitet për vendimet dhe veprimet e marra përgjatë kohës që janë në detyrë. Por, një komision hetimor i ngritur në Parlamentin italian votoi në janar për t’i propozuar Senatit heqjen e imunitetit.

Për vite me radhë, një pjesë e italianëve kanë akuzuar qeveritë ndër vite se kanë lejuar që vendi të kthehet në një bazë për refugjatët që kërkojnë Europën përmes rrugëve të Mesdheut. Këtë pakënaqësi e shfrytëzoi Salvini, që me qëndrimet e ashpra antiemigracion arriti që të vinte në pushtet në koalicion me Lëvizjen 5 Yjet.

Episodi mbi të cilën është ngritur akuza ndaj Salvinit nisi më 25 korrik të 2019, kur anija e rojes bregdetare, Gregoretti mori në bord 140 refugjatë libianë që po pëpiqeshin që arrinin në brigjet italiane.

Pjesa e refugjatëve që kishin nevojë për mjekim u lejuan që të zbrisnin në tokë, ndërsa 116 u mbajtën në anije për ditë me radhë, ndërsa Salvini kërkonte që ata t’i merrte një vend tjetër i Bashkimit Europian.

Vendimi shkaktoi përplasje, ndërsa prokuroria hapi një hetim mbi kushtet ku ishin mbajtur refugjatët pas raportimeve të shumta se ata ushqeheshin vetëm me një vakt në ditë dhe kishin vetëm një tualet.

Situata mori zgjidhje pas ndërhyrjes së Kishës Katolike dhe disa vendeve të tjera të BE-së që pranuan t’i merrnin për t’i strehuar. Kreu i “Lega Nord” këmbëngul se vendimi i tij për të mbajtur refugjatët larg brigjeve italiane kishte mbështetjen e Kryeministrit Giuseppe conte dhe të pjesës tjetër të Qeverisë, por hetuesit besojnë se ai ka vepruar i vetëm duke shpërfilluar kërkesat e vazhdueshme të Contes për lirimin e emigrantëve.

Nëse ish-ministri i Brendshëm italian gjendet fajtor për akuzat e ngritura, ai rrezikon që të dënohet deri në 15 vite burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë