Motosport

Sena në kulturën popullore, legjenda e gjallë e kampionit brazilian

Muzikë, kinema, art dhe mbi të gjitha inovacion në sigurinë dhe veprat e bamirësisë në emrin e tij: 26 vite nga ndarja nga jeta, kjo është trashëgimia e pilotit legjendar Airton Sena, i cili sot do të festonte 60-vjetorin e lindjes.

“Emri im është Airton, jam pilot dhe vrapoj me shpejtësi në rrugën time…" Fillon kështu një këngë e Luço Dalës, ndër të parat e albumit “Canzoni’ të 1996-ës. Është një shembull se si jeta, karriera dhe për fat të keq fundi tragjik i Airton Senës, kanë influencuar në jetën e mijëra njerëzve edhe jashtë të pasionuarve të Formula 1. Shembujt janë të shumtë, homazhe, vepra bamirësie në emër të Senës pas më shumë se çerek shekulli nga ndarja e tij nga jeta dhe kjo tregon se legjenda është ende e gjallë.

Airton Sena, legjenda braziliane e Formula 1. Gazeta Si, 21 mars 2020

Trashëgimia më domethënëse është “Instituti Airton Sena”, i themeluar në nëntor të 1994-ës nga motra e tij, Vivian. Fondacioni ka investuar gjatë viteve miliona dollarë për të bashkëpunuar me shkolla, shoqata dhe institute, me objektivin për të larguar nga rreziqet e rrugës të rinjtë në pamundësi ekonomike, duke u garantuar të ardhmen. Sena, shumë i ndjeshëm ndaj problemeve sociale të vendit të tij, Brazilit, e kishte në plan të krijonte një organizatë të kësaj natyre pikërisht me motrën Vivian pak muaj para incidentit. Motra e tij vendosi kështu të vazhdonte dhe për nder të tij i vuri emrin Airton. Mes veprave origjinale për të mbështetur fondacionin është filmi vizatimor “Senninha”, i krijuar nga Rogerio Martins e Ridaut Dias jr, i frymëzuar nga kampioni brazilian, ndaj dhe të ardhurat kanë shkuar për institutin.

Tufa me lule në vendin ku Sena humbi jetën në cirkuitin e Imolas. Gazeta Si, 21 mars 2020

Pasojat tragjike të incidentit të Senës bënë që FIA të bënte një revolucion në standardet e sigurisë. Cirkuiti i Imolas, ku braziliani humbi jetën më 1 maj 1994 pas atij incidenti tragjik, u modifikua në pikat më kritike, mes tyre edhe kthesa Tamburelo. Airton Senës i janë dedikuar fitorja e Kupës se Botës në futboll nga kombëtarja braziliane, Botërori i Formulës 1 i fituar nga Mikael Shumaker, por edhe rrugë e cirkuite e seksione cirkuitesh, si e famshmja ‘S di Senna’ në Interlagos, impiante sportive të çdo tipi në Brazil dhe jo vetëm. Po ashtu, një numër i madh artistësh i kanë kushtuar këngë brazilianit. Përveç Luço Dalës mund të citohen Çezare Kremonini, Kris Rea, “The Rock Alchemist”.

Kompani të njohuara motoçiklistike dhe automobilistike e kanë nderuar figurën e brazilianit: nga versioni special i “Ducati 916” tek ai “Mv Agusta F4 750”, nga “Vespa Piaggio” e dhuruar institutit dhe e shitur në ankand, te “McLaren Senna” me 800 kuaj fuqi e prezantuar në 2017-ën. Sena është futur edhe në “Hall of Fame” të sporteve motorike në Linkoln, në Alabama, dhe është ndër të paktët joamerikanë (janë edhe Alberto Askari, Xhek Brabham, Huan Manuel Fanxhio, Enco Ferrari, Niki Lauda dhe kundërshtari më krenar i Senës, Alan Prost) që e kanë pasur këtë vlerësim. Sipas disa të dhënave të mbledhura nga “Daily Telegraph”, numri i atyre që vizitojnë varrin e Airton Senës është më i madh se ata që vizitojnë varrin e Xhon Fizxherald Kenedi, Marlin Monro dhe Elvis Preslit të gjithë të marrë së bashku.

Airton Sena gjatë një gare. Gazeta Si, 21 mars 2020

Edhe bota e video-lojërave nuk ka mbetur e pandjeshme ndaj legjendës braziliane: te “Gran Turismo 6” është një seksion i tërë biografik dedikuar Senës, “Angry Birds Go” e konsideron Senën si një personazh të rrallë, kurse loja “F1 2019” risjell disa momente të rivalitetit të fortë mes Airtonit dhe Alan Prost. Shumë pilotë e kanë nderuar, duke mbajtur variante të ndryshme të kaskës së famshme të verdhë, të ndërthurur me jeshile dhe blu: që nga nipi Bruno që mbante një kaskë të ngjashme me gërmën “S”, te miku Rubens Barrikelo e deri te Ljuis Hamilton, i cili përdori një kaskë të tipit Sena në Çmimin e madh të Brazilit.

Airton Sena në fëmijërinë e tij. Gazeta Si, 21 mars 2020

Airton Sena Da Silva lindi më 21 mars 1960, në San Paolo. Filloi të ngiste që në moshën 4-vjeçare me “go-kart”-in e dhuruar nga babai Milton dhe 13 vjeç debutoi në këtë kompeticion. Në moshën 18-vjeçare u transferua në Europë, duke zgjedhur ekipin DAP nga Milano. Rritja e tij ishte e jashtëzakonshme, në periudhën 1981-1983 koleksionoi fitore njëra pas tjetrës, duke u shpallur kampion i Formula 3. Kalimin në Formula 1 e bëri në 1984-ën me skuadrën angleze Toleman. Gjithçka më pas është histori e një legjende të përjetshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë