Njerez

Sëmundja misterioze e Astorit, vrasësi i heshtur që godet sportistët

Rezultatet e një ekspertize të fundit të kërkuar nga Prokuroria e Firences në lidhje me rastin e Davide Astorit, ish-kapitenit të Fiorentinës të ndarë nga jeta disa muaj më parë, tregojnë për një zbulim të frikshëm. Bëhet fjalë për një sëmundje, që godet krejt papritur në zemër dhe që në 20% të rasteve nuk lë asnjë gjurmë.

Është një sëmundje e padukshme, shumë e vështirë për t’u diagnostikuar edhe nga mjekët sportivë, ajo që më 4 mars i mori jetën befasisht Davide Astorit. Ky konkluzion ka dalë nga një ekspertizë më e hollësishme mjeko-ligjore për vdekjen e ish-kapitenit të Fiorentinës, i cili u gjet i pajetë në dhomën e hotelit në Udine. Kjo ekspertizë, siç bën me dije “Corriere della Sera”, u kërkua nga prokurori Xhuzepe Kreaco dhe është bërë një ekspert i fushës, nga profesori i Universitetit të Padovës, Domeniko Korrado. Gjithçka është bërë për të qartësuar një pyetje: a mund të shpëtohej Astori?

Davide Astori

Universiteti i Padovas, mjaft i njohur për ekspertiza të tilla, ka analizuar rreth 800 raste vdekjesh të papritura të personave nën 35 vjeç dhe ka arritur në konkluzionin se më shumë se 100 prej tyre janë sportistë. Kjo ndodh, sepse lojtarët e prekur nga sëmundja në fjalë, janë pesë herë më të rrezikuar nga vdekja në raport me personat e tjerë, për shkak të aktivitetit sportiv. Specifikisht, ekspertiza e rastit të Astorit ka evidentuar faktin se gjatë orëve para se lojtari të ndërronte jetë, nuk ka pasur asnjë anomali, asnjë shqetësim nga zemra. Bëhet fjalë për një sëmundje vrasëse, që prek një në pesë mijë të rinj poshtë moshës 35 vjeç, një sëmundje e heshtur që në 20% të rasteve nuk lë asnjë gjurmë për mjekët. Dhe Astori hyn pikërisht te ky grup njerëzish. Ekspertiza gjithsesi nuk i ka dhënë shumë detaje gjykatës dhe hetimi mbetet ende i hapur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë