Lajme

Sekuestrohen 80 mijë paketa cigare kontrabandë në Hanin e Hotit

Një ngarkesë prej 80 mijë paketash cigare është sekuestruar sot në pikën kufitare të Hanit të Hotit në Shkodër, ku strukturat e doganës kanë konstatuar se ky mall ishte i pa pullë fiskale të Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër. Tashmë çështja i ka kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkodrës.

Njoftimi i plotë i Policisë
Strukturat e Administratës Doganore kanë sekuestruar një sasi prej 80 mijë paketa cigare në Pikën e kalimit Kufitar të Hanit të Hotit. Pas një analize risku dhe dyshimeve të arsyeshme mbi të dhënat e dokumentacionit shoqërues të një ngarkese, strukturat doganore ushtruan kontroll në mjetin e dyshuar, ku rezultoi një ngarkesë prej 80 mijë paketa cigare të markës “REGINA RED”.

E gjithë ngarkesa me cigare ishte e papajisur me pulle fiskale të Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër. Rasti u referua në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale, "Kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës" dhe “falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 172 dhe 190/3 të Kodit Penal. Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, po kryhen veprimet e mëtejshme hetimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë