Lajme

Sekuestrohen 700 kg marijuanë në Itali, dy shqiptarë në pranga

700 kg marijuanë janë kapur nga autoritetet italiane mëngjesin e sotëm, falë një operacioni të përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane. Lajmi u bë i ditur nga Policia e Shtetit shqiptar, e cila tha se “ne i sinjalizuam italianët për ngarkesën e drogës”.

“E ndoqëm skafin por më pas humbëm kontaktet dhe sinjalizuam policinë italiane e cila arriti ta kapë skafin e mbushur me drogë në Sant Andrea, Otranto. Po kështu janë arrestuar dy skafistët”, deklaroi policia shqiptare.

Sekuestrimi i mjetit u bë i mundur në afërsi të lokalitetit Sant Andrea, Otranto dhe drejtohej nga dy shtetas shqiptarë me iniciale D.G., 22 vjeç dhe A.R., 30 vjeç.

Janë në vijim hetimet në dy anët e Adriatikut për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë tentativë trafiku.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë mbetet e angazhuar për të goditur çdo paligjshmëri, e fton këdo që ka informacion të denoncojë në anonimat, në numrin falas 112 apo Komisariatin Dixhital.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë