Lajme

Laborator për falsifikim dokumentesh në Tiranë, në pranga babë e bir

Nga Gazeta ‘SI’ – Prej qershorit 2024, Ylli Brahimaj ishte në masën arrest shtëpie nën akuzën për trafik emigrantësh, pasi iu siguronin atyre dokumente të falsifikuara.

Por pavarësisht se SPAK u goditi grupin, Brahimaj e ka vijuar aktivitetin e paligjshëm nga shtëpia, bashkë me të birin. Brenda banesës së tij, Policia e Tiranës ka zbuluar një tjetër laborator për falsifikim dokumentesh, me qëllim dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në pranga kanë rënë babë e bir, Pjerin Brahimaj dhe Ylli Brahimaj, ndërsa bashkëpunëtori i tyre, një 62-vjeçar është vënë në hetim. Operacioni policor i koduar “Identiteti” u finalizua nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, pas një hetimi 7-mujor të ndjekur me metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Në videot e ndara nga policia, dallohet qartë ambienti që babë e bir e kishin përshtatur si laborator për falsifikimin e dokumenteve dhe pasaportave. Dera e këtij ambienti ishte kamufluar mjeshtërisht pas një rafti rrobash, duke e bërë të vështirë zbulimin e tij. Në pamje dallohet një prej efektivëve të policisë, ndërsa hap derën e raftit dhe më pas futet në ambientin e përshtatur si laborator, ku shihen të gjitha mjetet e nevojshme për falsifikimin e dokumenteve.

Gjatë kontrollit në banesë, forcat e rendit sekuestruan dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe pajisje që shërbenin për realizimin e këtij aktiviteti kriminal. Sipas të dhënave të hetimeve, një pasaportë false me shtetësi të huaj shitej nga 15 mijë deri në 20 mijë euro. Këto dokumente më pas përdoreshin për kalime të paligjshme drejt vendeve të Bashkimit Evropian apo edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Policia ka bërë të ditur se po vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të falsifikimit dhe trafikimit të dokumenteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë