Nga Gazeta ‘SI’ – Banka e Shqipërisë raporton një rritje të aktivitetit për institucionet financiare jobanka.
Aktivet e këtij tregu u rritën me 6 miliardë lekë në fundin e 2024-s, duke arritur një total prej 75 mld lekësh. Sektori jobankar ka ruajtur të pandryshuar peshën ndaj totalit të aktiveve të sistemit financiar në nivelin 10% dhe peshën prej 9% ndaj PBB-së së vendit.
Tregtia shumicë/pakicë është sektori më i financuar nga subjeket jobanka, me 17% ndjekur nga shërbimet dhe ndërtimi me 13% dhe 12%.
Kredia dhënë individëve zë 51% të totalit të kredisë dhe pjesa tjetër u takon bizneseve.
Cilësia e kredisë shënoi një rënie të lehtë gjatë periudhës, dhe raporti i kredive të këqija u ngjit në nivelin 12.2%, nga 11.7% në pjesën e parë të vitit 2024.

FJB-të e mbyllën vitin me një rezultat financiar pozitiv (5.5 miliardë lekë) dhe më të lartë se ai i një viti më parë (4.8 miliardë lekë). Kapitalizimi i veprimtarisë së këtyre subjekteve vijon të mbetet i lartë. Rreth 79% e kapitalit të paguar të institucioneve jobanka që ushtrojnë veprimtarinë e kreditimit është kapital vendas.
BSH raporton një tkurrje të aktivitetit të institucioneve të pagesës dhe parasë elektronike, me 4 mld lekë.Aktualisht, numërohen 5 subjekte që ushtrojnë veprimtarinë e pagesave dhe 10 subjekte që ushtrojnë aktivitetin e parasë elektronike.
Ekspozimi i sektorit bankar ndaj sektorit jobankar mbetet i ulët, por ka shënuar një rritje të lehtë në terma
vjetorë, ndërsa ndjeshmëria e sektorit jobankar ndaj veprimtarisë së sektorit bankar mbetet e lartë dhe në rritje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.