Biznes

“Sektori fason duhet të kalojë në ciklin e mbyllur të prodhimit. Këto janë 10 sfidat”

Këshilli i Investimeve në Shqipëri në një analizë të tij, tregon se industria e veshjeve në vend ka 10 sfida me të cilat përballet, ku kryesorja është kalimi në ciklin e mbyllur të prodhimit.

Këshilli i Investimeve me anë të anketave me bizneset e këtij sektori tregon se industria ka arritur pikën e ngopjes dhe është koha për të kaluar në fazën e mbylljes së ciklit të prodhimit në vend. Së dyti teknologjia dhe pajisjet e vjetruara janë një tjetër element që parashtrohet si sfidë. Së treti forcimi i lekut kundrejt monedhës euro ka rritur kostot ndërkohë që edhe kostot e paketimit mbeten problem.

Konkurrueshmëria e produkteve Made in Albania dhe analiza e kostove të transportit janë dy sfida të tjera.

Një tjetër element i analizuar është ai për menaxhimin e mbetjeve ndërkohë që bizneset e sektorit nënvizojnë se edhe në aspektin fiskal ka punë për tu bërë dhe kjo e lidhur me tatimfitimin i cili mbetet më i lartë në krahasim me rajonin.

KI tregon se rritja e çmimit të energjisë, do të ndikojë drejtpërdrejtë edhe në sektorin fason.

“Analiza e kostove të energjisë-me gjithë përpjekjet tona, nuk mundëm të evidentonim një shifër të saktë të përqindjes së energjisë në koston e prodhimit për NMVM. Përfaqësuesit e biznesit të prodhimit theksuan më shumë stabilitetin e energjisë së furnizuar. Ekspertët këshillojnë për mundësitë e përdorimit të qasjeve inteligjente alternative të burimeve të energjisë, të tilla si kaldaja me ujë të nxehtë me temperaturë të lartë, ajër të ngjeshur në industri, impiante të ftohjes industriale” thuhet në analizën e Këshillit.

Sfida e dhjetë e sektorit është ajo e analizës së kostos së zbatimit të standardeve ISO-ve, (standardizimi ndërkombëtar) dhe atyre mjedisore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë