Bota

Sekretari Blinken lajmëron rikthimin e SHBA-ve: Nuk do të lejojmë botën në kaos

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, mbajti sot fjalimin e tij të parë të rëndësishëm si kryediplomat i vendit, duke parashtruar politikën e jashtme të administratës Biden. Ai theksoi vendosmërinë e kësaj administrate për më tepër angazhim në çështjet globale.

“Bota nuk organizohet vetë, - tha Blinken. - Kur Amerika tërhiqet, ose dikush tjetër do të përpiqet të zerë vendin e saj, ose askush nuk del për të mbajtur barrën dhe kjo çon në kaos”. Sekretari i Shtetit u shpreh se për të mposhtur pandeminë nevojitet që qeveritë dhe shkencëtarët kudo në botë duhet të bashkëpunojnë.

“Ne do të inkurajojmë të tjerët të bëjnë reforma të rëndësishme, të anulojnë ligje të këqia, të luftojnë korrupsionin dhe të ndalin praktikat e padrejta”, - u shpreh më tej Blinken, i cili shtoi se SHBA nuk do të nxitë demokracinë përmes ndërhyrjeve ushtarake, ose duke u përpjekur të përmbysë me forcë regjime autoritare.

“I kemi provuar këto taktika në të kaluarën dhe, edhe pse me qëllime të mira, ato nuk kanë funksionuar, madje i kanë dhënë . “nxitjes së demokracisë’ një emër të keq. Rusia dhe Kina shfrytëzojnë çdo rast për të mbjellë dyshime rreth demokracisë sonë”, - theksoi Blinken.

Për çështjen e emigracionin, Sekretari i Shtetit u shpreh se kufiri i fortë ka rëndësi thelbësore për sigurinë e vendit. Sipas tij, Amerika është vend emigrantësh dhe duhet ta zgjidhë me diplomaci faktin që vit pas viti njerëz nga vende të tjera rrezikojnë çdo gjë për të ardhur në Shtetet e Bashkuara. Blinken pohoi se Amerika po bën përpjekje të mëdha për të rivendosur lidhjet me miqtë dhe aleatët.

Sekretari i Shtetit bëri thirrje edhe për forcimin e mbrojtjes kompjuterike të vendit. Ai përmendi shembullin e ndërhyrjes kibernetike në kompaninë “SolarËinds” vitin e kaluar, për të cilën dyshohet Rusia dhe që u shoqërua me një depërtim masiv në rrjetet kompjuterike të qeverisë amerikane.

Blinken më tej foli për marrëdhëniet me Kinën, duke i quajtur ato komplekse. Ai tha se do të ketë bashkëpunim, por edhe qëndrime nga këndvështrimi i një kundërshtari. “SHBA, - tha Blinken, - do ta angazhojnë Kinën nga pozitat e forces”. Sekretari i Shtetit tha se Amerika do të mbrojë vlerat, për të cilat lufton, kur shikon se të drejtat e njeriut shkelen, ose kur demokracia nëpërkëmbet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë