Menaxhim

Sejko: Turizmi dhe agrobiznesi, promotorë punësimi për ekonominë

“Sektorët e turizmit dhe të agrobiznesit kanë potenciale të mëtejshme për të krijuar vlerë të shtuar në ekonominë shqiptare”, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Ai shtoi se këta sektorë mund të jenë promotorë punësimi, por edhe një burim inovacioni për ekonominë shqiptare.

“Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë që ka financimi i kompanive në fushën e agrobiznesit dhe të turizmit, të cilat, në pjesën dërrmuese janë të organizuara si sipërmarrje të vogla dhe të mesme. Por, gjithashtu, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për potencialin e madh të këtyre kompanive, si krijues vlere, si promotorë punësimi dhe si burim inovacioni. Të gjithë këta janë ingredientë të rëndësishëm për një recetë të suksesshme për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë sonë.

Për këtë arsye, e konsideroj tejet të rëndësishme dhe frytdhënëse ndërmarrjen e programeve të tilla, të cilat mundësojnë jo vetëm disponibilitet fondesh, por edhe rrisin kapacitetin analizues, vlerësues dhe më tej financues të sektorit bankar. Instrumentet e garancisë dhe të ndarjes së rrezikut lehtësojnë barrën e bankave në terma të rrezikut dhe më tej ndihmojnë në shtrimin e rrugës drejt financimit të qëndrueshëm të këtyre sektorëve,” tha Sejko.

Sipas tij, çdo përpjekje për të rritur aksesin në financim duhet parë si një mundësi e përbashkët për rritje, si nga sektori real, ashtu edhe nga industria bankare. Ai gjithashtu inkurajoi industrinë bankare për një angazhim më të madh, por të kujdesshëm, tek sektorët potencialë të vendit.

Deklaratat e Guvernatorit u bënë gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes midis Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe nje banke private, për përdorimin e instrumentit të ndarjes të rrezikut në kuadër të Programit për Mbështetjen e Agrobiznesit dhe Turizmit në Shqipëri.

BERZH ka vënë në dispozicion një fond deri më 100 milionë euro për financim dhe për lehtësira për ndarjen e rrezikut, të cilat do të mundësojnë një investim shtesë prej 80 milionë eurosh nga institucionet financiare pjesëmarrëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë