Nga Gazeta ‘Si’– Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%.
Vendimi u bë publik nga Guvernatori Gent Sejko, i cili në një konferencë për shtyp deklaroi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Sipas Sejkos, ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, ndërsa tregjet financiare kanë mbetur të qeta dhe kushtet e kreditimit vazhdojnë të jenë stimuluese për bizneset dhe familjet.
Guvernatori theksoi se treguesit e stabilitetit financiar paraqiten pozitivë, me ulje të borxhit publik dhe të borxhit të huaj, si dhe me bilance të shëndosha dhe likuide të sektorit privat. Sipas tij, edhe sektori bankar mbetet solid dhe rezistent ndaj goditjeve të jashtme.
Megjithatë, Sejko paralajmëroi se zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht tensionet në Lindjen e Mesme dhe luhatjet e çmimeve të naftës, pritet të kenë ndikim në inflacionin në Shqipëri, duke sjellë një rritje të përkohshme mbi objektiv gjatë muajve në vijim.
Ai bëri të ditur se inflacioni i çmimeve të konsumit është rritur në tremujorin e dytë, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të karburanteve, si dhe rritjes së çmimeve të disa produkteve ushqimore dhe shërbimeve.
Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, kjo rritje mbetet në linjë me pritshmëritë dhe konsiderohet e përkohshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje