Ekonomi

Ndërtuesit dhe bizneset e shërbimit pesimistë për ekonominë: Kërkesë e ulët!

Nga Gazeta ‘Si’- Treguesi i Ndjesisë Ekonomike shënoi një rënie të lehtë prej 0.6 pikësh gjatë muajit qershor, sipas të dhënave të Banka e Shqipërisë, ndikuar nga një rënie e fortë e besimit tek ndërtuesit dhe bizneset e shërbimit.

Ndonëse zyrtarisht në sezon turistik, besimi në ekonomi i fushës së shërbimit u tkurr me 3.8 p.p, për shkak të kërkesës më të ulët. Pritjet për punësimin u përmirësuan dhe ato për çmimet ranë.

Edhe ndërtuesit ishin më pesimistë, -0.8 pikë, kryesisht për shkak të rënies së vlerësimeve për kontratat porositëse. Aktiviteti ndërtues mbeti i pandryshuar, ndërsa pritjet për çmimet u ulën.

Në industri, treguesi i besimit u rrit me 0.6 pikë përqindje, falë vlerësimeve më optimiste për porositë aktuale dhe pritjeve për eksportet. Megjithatë, bizneset raportuan një vlerësim më pak pozitiv për prodhimin industrial aktual. Pritjet për punësimin u rritën, ndërsa ato për çmimet e produkteve në të ardhmen ranë.

Edhe besimi i konsumatorëve u përmirësua lehtë, me 0.6 pikë përqindje. Konsumatorët vlerësuan më pozitivisht gjendjen e tyre financiare dhe mundësinë për blerje të mëdha, ndërsa pritjet për rritjen e çmimeve në të ardhmen u ulën.

Ndërkohë, sektori i tregtisë shënoi rritjen më të lartë të besimit, me 2.8 pikë përqindje, i nxitur nga vlerësime më pozitive për ecurinë e biznesit. Edhe në këtë sektor, pritjet për çmimet në të ardhmen rezultuan në rënie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë