Bota

Scholz i kërkon Putinit armëpushim. BE, 500 mln euro ndihmë ushtarake Ukrainës  

Gazeta Si – Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me kancelarin gjerman Olaf Scholz këtë të premte.

Sipas një deklarate të Kremlinit, Putin “përshkroi me detaje logjikën dhe objektivat kryesore të operacionit special ushtarak”, shkruan “The Guardian”.

Ndërkohë kancelari gjerman Scholz ka vënë theksin tek ulja në bisedime dhe dhënia fund e konfliktit sa më shpejt.

“Duhet të ketë një armëpushim në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Scholz.

Putin foli gjithashtu për “masat që po merren për të garantuar sigurinë e civilëve” gjatë asaj që Kremlini e quan “operacioni i tij special ushtarak” në Ukrainë.

Kremlini tha më tej se Putini foli me Scholz për shkeljet e rënda të kryera nga neo-nazistët ukrainas.

Udhëheqësi rus shtoi se negociatat aktuale ruso-ukrainase u bllokuan në mënyrë efektive nga Kievi.

Udhëheqësit rusë dhe gjermanë ranë dakord gjithashtu të vazhdojnë diskutimet për Ukrainën “nëpërmjet kanaleve të ndryshme”.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, ka premtuar 500 milionë Euro të tjera mbështetje ushtarake për Ukrainën.

Borell tha se mbështetja ushtarake do të jetë  për armët e rënda si tanke dhe artileri duke e çuar kështu  ndihmën e bllokut në rreth 2 miliardë Euro.

“Një shtysë e re për mbështetjen ushtarake. Do të ketë më shumë presion ndaj Rusisë me sanksione ekonomike dhe vazhdimin e izolimit ndërkombëtar të Rusisë dhe kundërinformimit të gabuar”.

Ai u shpreh optimist për arritjen e një embargo ndaj naftës ruse gjatë ditëve në vijim .

“Jam i sigurt se do të kemi një marrëveshje. Na duhet të kemi një marrëveshje.  Duhet të heqim qafe varësinë e naftës nga Rusia”.

Sipas ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, “BE-ja është transformuar nga një platformë ekonomike konstruktive, në një aktor agresiv dhe militant që ka deklaruar ambiciet e saj shumë përtej kontinentit evropian”.

Deklarata e tij vjen nga Dushanbe, Taxhikistan, ku Lavrov ndodhet në një vizitë zyrtare dhe e raportuar nga agjencia ruse, “Interfax”.

Duke folur për dëshirën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në BE, Lavrov shtoi: “Kjo është një çështje e marrëdhënieve midis Kievit dhe BE-së. Megjithatë, ka dyshime të forta se kjo dëshirë nga ana e Kievit nuk është e dëmshme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë