Julian Veigl sapo është transferuar nga Borusia Dortmund te Benfika. Futbollisti gjerman ka një histori të çuditshme. Në vitin 2014, kur ishte vetëm 19 vjeç, ishte kapiten i Mynih 1860, por u ndëshkua nga klubi dhe përfundoi në skuadrën e dytë, për t’u shitur më pas. Një moment që i ka dhënë një leksion të mirë mesfushorit.
Kalimi i Julian Veigl te Benfika ka ngjallur interes, jo vetëm se portugezët kanë marrë në skuadër një lojtar me 5 ndeshje me kombëtaren gjermane për një shifër të konsiderueshme, 20 milionë euro. Ish-lojtari i Borusias ishte objektiv i disa skuadrave të tjera në merkato, madje edhe Interi e kishte në listë. Kalimi i tij në Portugali ka marrë vëmendje për shkaqe të tjera, që nuk lidhen me fushën. Për shembull: një tifoz i Benfikës duhet të mbajë premtimin e çuditshëm të vrapimit nudo për një kilometër, sepse gjermani tashmë është zyrtarisht lojtar i skuadrës së tij të zemrës.

Pastaj, është edhe historia personale e Veigl. Ai është bavarez dhe ka lindur si futbollist te të rinjtë e Rosenheim, për të kaluar më pas në Mynih. Jo te Bajerni, por tek ekipi Mynih 1860. Djaloshi tregoi talentin e tij dhe në moshën 19-vjeçare, në gusht të 2014-ës, u bë kapiten, më i riu në historinë e klubit. Por mjaftuan pak ditë për të vënë gjithçka në rrezik. Po atë muaj, Veigl dhe disa lojtarë të tjerë të skuadrës bënë një xhiro të paharrueshme me makinë. Një xhiro që lojtarit më të ri të Benfikës mundt’i kishte kushtuar shumë shtrenjt.
Mesfushori, bashkë me Eisher, Adlung dhe Stark morën një taksi në orën 3 të natës, pas një feste. Të katërt po flisnin pak si shumë, duke e kritikuar hapur ekipin e Mynih 1860. Për fat të keq, taksisti ishte një tifoz i këtij ekipi dhe të nesërmen në mëngjes ai i telefonoi klubit për t’i treguar atë që kishte ngjarë fije për pe. Rezultati? Veigl humbi shiritin e kapitenit dhe kaloi në skuadrën e rezervave, më pas u largua. Mund të kishte përfunduar këtu një karrierë premtuese, që mund të shkatërrohej nga ndonjë fjalë më shumë.
Mesfushori pati fat, sepse e mori Borusia Dortmund, duke besuar te të dhënat e tij. Lojtari mori një leksion të mirë. “Kur më pezulluan ndihesha i shkatërruar, por prej atij momenti nisa të kuptoj më mirë si funksionon futbolli. Isha entuziast më shumë se duhet në atë kohë, më dukej çdo gjë më e lehtë nga sa ishte në realitet”, – ka rrëfyer futbollisti gjerman.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.