Motosport

San Paolo fiton “luftën” me Rion, Formula 1 edhe 5 vjet në Interlagos

Nuk ka zhvendosje në Rio de Zhaneiro. Gara e Formulës 1 në Brazil do të mbetet në San Paolo, në cirkuitin historik të Interlagosit, deri në vitin 2025. Njoftimin zyrtar vjen nga guvernatori i shtetit të San Paolos, Zhoao Doria, gjatë një konference shtypi.

“Jam krenar të bëj të ditur se Formula 1 sapo ka rinovuar kontratën për “Çmimin e Madh” të Brazilit deri në vitin 2025. Autodromi i Interlagosit është konfirmuar edhe për 5 vitet e ardhshme. Kontrata do të firmoset nga prefekti i San Paolos, Bruno Kovas dhe nga “Liberty Media”, që ka të drejtat e transmetimit të Formula 1”, - ka thënë Doria.

Merr fund kështu “lufta” mes San Paolos dhe Rio de Zhaneiros, që kishte filluar një vit më parë. Edhe presidenti i Republikës, Jair Bolsonaro, nuk e ka fshehur kurrë dëshirën e tij për ta spostuar garën në ish-kryeqytetin e Brazilit, por tashmë gjithçka ka marrë formë zyrtare. “Çmimi i Madh” i Brazilit do të ndryshojë emër, do të quhet “Çmimi i Madh i San Paolos”, edhe pse Interlagos është një brand i njohur dhe vështirë të fshihet me një firmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë