Gazeta Si – Masat e sigurisë në bulevard, Pallatin e Kongreseve dhe në qendër të Tiranës, janë shtuar këtë të mërkurë për vizitën e presidentit ukrainas Zelenski dhe dy samitet që do të mbahen në 28-29 shkurt me liderë të Ballkanit Perëndimor.
Siç duket dhe nga videot, fortifikimi i rrugëve që të çojnë drejt kryeministrisë është bërë me gardhe metalike dhe forca të shtuara të policisë.
Ndërsa në godinat përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, janë instaluar oficerë të Gardës që inspektojnë zonën me sjanperë.
Të njëjtat masa janë marrë edhe në Pallatin e Kongreseve, ku do të zhvillojë punët samiti për Ukrainën. Me dhjetëra përfaqësues të media dhe operatorë, kanë kaluar në filtrin e agjentëve të policisë para se të futen.
Prej mbrëmjes së të martës, Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë në Samitin Ukrainë – Europa Juglindore dhe atë të Ballkanit Perëndimor që do mbahen në Tiranë më 28 dhe 29 Shkurt.
Konkretisht në terren do të jenë të angazhuar mbi 1500 efektivë policie, ndërsa pjesë e planit të masave është dhe bllokimi i qarkullimit rrugor me fasha orare në disa akse të kryeqytetit.
Ndërkohë sa i takon rrugëve brenda perimetrit të sigurisë, bllokimi do jetë total. “Rrugët që përfshihen në perimetrin e sigurisë së aktiviteteve dhe takimeve të pjesëmarrësve në Samit, do të kenë ndalim qarkullimi nga ora 08:00 e datës 28.02.2024 deri në orën 16:00 të datës 29.02.2024”, tha Rebani Jaupi, Drejtori për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit.
Në dy ditët e bllokimit të qarkullimit, policia orienton të gjithë qytetarët të përdorin rrugët alternative që të aksesojnë me aeroportin Nënë Tereza.
“Do të ndjekin përkatësisht drejtimin Vorë – Fushë Prezë – Rinas dhe kthim; Fushë Krujë – Valias – Rinas dhe kthim; Nga Juglindja dhe Tirana, do të ndjekin Unazën lindore – Farmacia 10 – Stacioni i Trenit – Bulevardi i Ri – Paskuqan – Kamëz – Valias – aeroporti “Nënë Tereza” dhe kthim në të njëjtin itenerar”.
Plani i masave prek dhe qyetarët që banojnë në godinat fare pranë perimetrit të sigurisë, për të cilët policia ka krijuar akses për hyrje-daljet e tyre përmes rrugëve alternative.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.