Lajme

Salianji: Rama po bllokon vettingun e politikanëve

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, njëkohësisht koordinator i grupeve të punës të ngritura nga opozita për vettingun në politikë, në përfundim të mbledhjes së grupeve të punës, PD-LSI tha se duhet pritur për të parë nëse maxhoranca është pro apo kundër këtij projektligji.

Deputeti demokrat u shpreh se kryeministri Edi Rama dhe PS nuk e duan vettingun dhe po e refuzojnë.

“Është e qartë që pas depozitimit të projektligjit për ndryshime kushtetuese për të bërë të mundur vettingun e politikanëve Rama dhe PS po e refuzon vettingun. Ne e kemi depozituar në parlament një projektligj që mundëson ndryshimet kushtetuese për të larguar të gjithë funksionarët e lartë që kanë lidhje me krimin, duke nisur nga drejtuesit e institucioneve kushtetuese, kryeministri, deputetët, kryetarët e bashkive dhe çdo drejtues tjetër.

Propaganda që bëhet nga PS dhe Rama është për t’iu shmangur vettingut të politikanëve. Vettingu është një proces paralel që ecën bashkë me hetimin nga drejtësia, nuk e shmang vettingu i politikanëve, hetimin nga drejtësia, përkundrazi e përshpejton, e ndihmon dhe largon personat e lidhur me krimin nga institucionet publike. Edhe sot nuk ndalohet që SPAK-u apo prokuroria e sotme të hetojë familjarë të personave, politikanë apo funksionarë publik qofshin këta por e pengon vullneti politik i kryeministrit dhe i një drejtësie të kapur për fyti nga kryeministri. Ne jemi duke e detajuar në mënyrë të plotë të gjithë platformën tonë për largimin e personave të inkriminuar”, deklaroi Salianji.

PD ka depozituar në Kuvend, pr/ligjin për vettingun e politikanëve, por ende nuk dihet se kush janë organet që do ta bëjnë këtë proces. I pyetur për këtë deputeti Salianji tha se çdo gjë vjen me ndryshimet kushtetuese.

“Do bëhet hap pas hapi. Ne kemi një plan të detajuar që do iu bëhet i qartë sapo qeveria të shprehet e do apo jo vettingun. Ne kemi depozituar një projektligj që i parashikon të gjitha ndryshimet kushtetuese për të bërë vettingun e politikanëve. I gjithë procesi i vettingut do të nisë edhe nga drejtuesit e institucioneve publike. Ne edhe sot nuk kemi besim në këto institucione, mekanizmi është i përcaktuar në ndryshimet kushtetuese.

Vendimi ynë i sotëm është që ne do të pranojmë apo diskutojmë çdo lloj hapi për të përshpejtuar në kuvend projektligjin”, deklaroi deputeti Salianji. 


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë