Lajme

Salianji: Dako ka shpërblyer kriminelët me pasuri dhe pushtet

Partia Demokratike vijon akuzat ndaj kryebashkiakut të Durrësit. Deputeti demokrat, Ervin Salianji, në një deklaratë për mediat u shpreh se ai ka shpërblyer kriminelët me pasuri dhe pushtet për blerjen e votave për llogari të pushtetit të Edi Ramës.

“Vangjush Dako, njësoj si Edi Rama, është peng i krimit. I vetmi ndryshim mes tyre është se për Edi Ramën nuk kanë dalë akoma përgjimet me kriminelët, ndërsa për Vangjush Dakon, tani e kemi të provuar se i lutet kreut të bandës së Avdylajve për takim falënderues pas zgjedhjeve, ushtarët me të cilët Dako komunikon refuzojnë ta shqetësojnë bosin”, u shpreh deputeti demokrat, Ervin Salianji.  

Deputeti demokrat tha se Vangjush Dako ka favorizuar bandat dhe përmend emra konkretë.

“Vangjush Dako u betua se nuk u ka bërë bandave asnjë favor, por Partia Demokratike provoi se Avdylajt kishin plazh privat në Durrës. Vangjush Dako, përveç përpëlitjeve qesharake, nuk tha cili është roli i tij në zgjerimin e biznesit të Avdylajve.

A e ka takuar Gjushi Cinen, një nga anëtar e bandës, për t'i siguruar ndërtimin e Avdylajve në det? Vangjush Dako duhet të thotë mbi çfarë kriteresh Peposhët e Durrësit, që terrorizuan zonën e shkozetit gjatë zgjedhjeve, kanë marrë parkimin tek sheshi i Stacionit të Trenit.  Vangjush Dako duhet të thotë mbi çfarë kriteresh emëroi administrator në Sukth Bert Hoxhën person me precedentë të rëndë kriminale bashkë me vëllain e tij Gëzim Dankshi/Hoxha i cili u shpall në kërkim, pasi sulmoi me armë përfaqësuesit e PD në fushatën e Dakos 3 vjet më parë.  Po persona të tjerë të lidhur me bandat e Durrësit apo të dënuar vetë për krime, që kanë mbledhur vota për Edi Ramën në zgjedhje, si: Rud Taullai me linjat e transportit urban ka përfituar privilegjet e pushtetit të Vangjush Dakos dhe Edi Ramës? Kep Arapi me ndërtime në mijëra metra katrorë tek Gjiri i Lalzit ? Ron Shqopa, Drejtor i rëndësishëm në Durrës?”, tha ndër të tjera Salianji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë