Njerez

Salah në krah të grave myslimane: Duhet ndryshim, meritojnë më shumë!

Sulmuesi i Liverpulit, Mohamed Salah, është ikona e Egjiptit dhe një ndër 100 personat me më shumë influencë të vitit në botë, sipas “Time”. Ai është i rëndësishëm jo vetëm për atë që bën në fushë me fanellën e Liverpulit, por edhe jashtë saj. Pas fitores së thellë në Portugali dhe kalimit në gjysmëfinale të Championsit, sulmuesi ka përfituar për të bërë një apel për gratë myslimane.

Të gjithë duan ta kenë në ekip Momo Salah. Shtypi spanjoll ka aluduar për një prishje të marrëdhënieve mes tij dhe trajnerit Jurgen Klop, por egjiptiani, të paktën për momentin, e ka mendjen në çështje të tjera dhe jo te merkatoja. Çështje më të rëndësishme për të. Në një intervistë për “Time”, që i ka dedikuar kopertinën, sulmuesi i njohur është pozicionuar në krah të grave myslimane. Edhe pse i vlerëson përmirësimet që janë bërë kohët e fundit në jetën e këtyre grave, Salah është i bindur se ka ende shumë për të bërë.

“Është i nevojshëm një ndryshim i madh në mënyrën, me të cilën gratë trajtohen në kulturën tonë. Nuk ka alternativa”, - thekson Salah për revistën që e përfshin sulmuesin në listën e 100 figurave me më shumë influencë të vitit në botë, pranë sportistëve të mëdhenj si Tajger Vuds dhe LeBron Xhejms. “Për gratë duhet bërë më shumë se sa është bërë deri tani, sepse e ndjej se meritojnë shumë më shumë se sa ne u japim atyre sot. Roli im si ikonë e Egjiptit? E pranoj, ka pak presion, por në të njëjtën kohë është krenari që të konsiderohesh një shembull”, - shton Salah, i shpallur lojtari afrikan i vitit në 2017-ën dhe 2018-ën, si dhe lojtari më i mirë në Angli për sezonin 2017-18. “Të jesh egjiptiani i parë në këtë situatë, të bësh diçka që askush nuk e ka bërë më parë, është e jashtëzakonshme. Jeta ime? Është po ajo, një jetë normale. Pjesën më të madhe të kohës e kaloj në shtëpi, nuk më pëlqen shumë të dal”, - e mbyll egjiptiani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë