Motosport

Sainz paralajmëron Leclerc: S’firmosa me Ferrarin që të jem piloti i dytë

“Nuk kam firmosur asgjë që të më përcaktojë pozicionin e pilotit të dytë. Në kontratën time është shkruar, si në të gjithë ato që kam nënshkruar, se skuadra është mbi pilotin, por nuk ka asgjë në lidhje me ‘të dytë’ ose përkrahjen e dikujt tjetër. Ajo që di është se do jap gjithçka për Ferrarin”. I intervistuar nga Radio Marca, piloi i ri i Ferrarit, Carlos Sainz jr, që do të garojë nga 2021, bën të qartë se nuk ndihet ‘i dytë’ i Charles Leclerc, dhe se ai dëshiron të luajë shanset e tij.

“Tek Ferrari do jap gjithçka që kam për të tentuar të fitoj – thotë spanjolli –por ngjyra e makinës është e njëjtë, në kuptimin që e trajtoj çdo koleg timin në të njëjtën mënyrë dhe për mua janë të gjithë rivalë. Nëse pastaj do të jetë një situatë e komplikuar, të jeni të sigurtë se do të marr vendimin e duhur”. Sainz, që në këtë sezon, ende i panisur për shkak të pandemisë, do të vazhdojë të jetë pjesë e McLaren, mezi pret të kthehet në pistë: “Mbetet edhe një muaj dhe mezi po pres. Kam një dëshirë aq të madhe të garoj sa më vjen dëshira të qëndroj tek simulatori, gjë që zakonisht nuk më pëlqen. Kështu, imagjinoni sa shumë dua të matem në pistë. Dua të shkoj në Austri – shtoi ai – të përgatitem për garën e të ndjej presionin që rritet. Nëse e keni bërë këtë për një jetë të tërë, atëherë ju mungon. Padyshim që do të jetë e çuditshme pa audiencë, por kur të jemi brenda në makinë nuk do ta ndiejmë mungesën”.

Në fund një tjetër batutë për kontratën me Ferrarin.”Më dërguan vetëm atë e mund ta imagjinoni buzëqeshjen që kisha kur firmosa – tha Sainz -. Nuk e pashë nëse kishte klauzolë për ulje në rast se blija një Ferrari. Të shohim, do flasim kur të jem në Maranello”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë