Dosje

Saga e Mediut me drejtësinë për Gërdecin/ Nga mandati i deputetit e deri tek “ngecja” në trafik në tunelin e Kalimashit

54 vjeçari Fatmir Mediu kryeson Partinë Republikane prej vitit 1997. Aktualisht pozitat e Mediut nuk janë në vështirësi për shkak të politikës, por për detyrën që ai mbajti si ministër i Mbrojtjes nga viti 2005 deri në 2008, vit në të cilin ai dha dorëheqjen pas tragjedisë së Gërdecit që u mori jetën 26 personave, shumë të tjerë u plagosën dhe dhjetëra banesa e objekte u shkatërruan. Por largimi nga ministria e Mbrojtjes e Mediut u pasua me emërimin e tij në 2009 ku deri në 2013, Fatmir Mediu mori postin e ministrit të Mjedisit.

Me gjithë faljen dhe kërkesën e shoqëruar me “përgjegjësi morale‘ sipas tij atëherë kur kërkoi pajtim në Gjykatën e Lartë përpara familjarëve të të miturit Durda, plagosur rëndë më 15 mars 2008, ai duket se përfitoi nga manteli i deputetit.

Mandati që ai e fitoi nga zgjedhjet e 2009, dhe procedurat për ta shtyrë seancën në gjykatën e Lartë deri edhe me justifikimin se Fatmir Mediu kishte ngecur në tunelin e Kalimashit, i dhanë gjykatës së Lartë një justifikim për të argumentuar mbylljen

Mandati

Me tre gjyqtarë pro dhe konkretisht Besnik Imeraj, Ardian Nuni dhe Majlinda Andrea dhe vetëm dy gra kundër Evelina Qirjako dhe Evgjeni Sinoimeri, Fatmir Mediu doli i palagur nga drejtësia supreme që e mori atë nën përgjegjësi penalë direkt në gjykatën e Lartë që në atë kohë gjykonte në juridiksion fillestar në cilësinë e ministrit. Pikërisht ky funksion i lartë që Mediu mbajti si ministër mbrojtjeje, u përdor si argument që gjykata e lartë e reformës në drejtësi, thënë ndryshe Gjykata e Re, të shpallë mos kompetencën dhe ta dërgojë Mediun në gjykatën e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit.

I akuzuar në atë kohë për shpërdorim detyre, që për funksionarët e lartë është kompetencë e SPAK, për fatin Fatmir Mediut do të vendosë gjykata e posaçme, nëse do i hapë apo jo dritë jeshile SPAK

Si shpëtoi Mediu?

Teksa çështja ndaj zyrtarit të lartë ishte dorëzuar për gjykim në 13 mars 2009, për nëntë muaj mbas çeljes së procesit dhe zvarritjeve u kuptua se Mediu po bëhej gati për zgjedhjet dhe për një justifikim të ri.

Si fillim përpara se të jepte bonusin e madh, gjykata veproi siç veprohet përherë në dosje të mëdha, duke i copëzuar ato.

 Në 22 maj Kolegji Penal veçoi gjykimin ndaj 29 të akuzuarve të tjerë dhe shoqërisë Albademil, mes tyre ushtarakë dhe administratorë të fabrikës së demontimit. Agim Lala, Ndue Marku, Ardian Mullai, Zija Bahja, Luan Hoxha, Zenun Fero, Hysni Cocka, Lavdi Shatro, Jorgo Mino, Fiqiret Mato, Armand Tartari, Fatbardh Kuci, Shpetim Spahiu, Adriatik Mema, Rezart Tershana, Denis Hajdari, Gëzim Hoshafi, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fahri Toska, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Shkëlzen Madani, Ardian Mullai, Sokol Ngjeci, Dritan Minxholli, Juljana Margariti, Dashnor Caushi, Hilmi Lacaj e Shoqëria “Albademil” sh.p.k. u dërguan për arsye kompetence në  Gjykatën e Tiranës. Për ish ministrin sapo nisi loja. Dhe rezultoi pikërisht kështu. Mbas zvarritjeve për arsye proceduriale, në shtator, ende pa dalë para drejtësisë dhe sapo gjyqtarët supremë u ulën në tribunë në 9 shtator 2009, dy avokatët e ish ministrit Petrit Serjani dhe Ardian Visha dorëzuan memon ku I tërhiqnin vëmendjen gjykatës se klienti i tyre kishte fituar si deputet në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në qershor 2009.

“Ky fakt dhe rrethanë nuk lejon vazhdimin e procedimit ndaj të mbrojturit prej nesh”, deklaruan atë kohe avokatët 

Por prokurorët që përfaqësonin akuzën qendrore kundërshtuan mbasi sipas tyre Kuvendi i mëparshëm e kishte dhënë një autorizim për hetim ndaj ish ministrit

Edhe në seancën e mëpasshme, avokatët vijuan mbrojtjen me mandatin e ri , duke i kujtuar gjykatës se Fatmir Mediu po bëhej gati të ulej si deputet i legjistraturës XVIII  i Kuvendit.

Për këtë arsye u bashkangjit vërtetimi ku ai kishte marrë mandatin në datë 11 shtator 2009, pikërisht pak orë mbasi gjykata kishte hapur shqyrtimin dhe mbasi Fatmir Mediu kërkoi shtyrje përmes avokateve mbasi ishte bllokuar në tunelin e Kalimashit

Vendimi i gjykatës së Lartë përmend:

“Sipas pretendimeve të mbrojtësve të të pandehurit, mbas zgjedhjes së të pandehurit Fatmir Mediu deputet, organi i prokurorisë nuk ka paraqitur kërkesë për autorizim në Kuvendin e Shqipërisë. Gjithashtu dhe nga ana e Kuvendit nuk është lëshuar autorizim për të lejuar ndjekjen penale ndaj të pandehurit Fatmir Mediu, pasi ai ka marrë mandatin e deputetit “

 Dhe pikërisht ky pretendim u çmua i bazuar me argumentin:

“Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë çmon se zgjedhja e të pandehurit Fatmir Mediu deputet i Kuvendit të Shqipërisë në datën 01.08.2009 dhe mungesa e një autorizimi për procedim të Kuvendit të Shqipërisë për këtë person pas mandatimit si deputet, është një prej rrethanave ligjore të parashikuara nga neni 290/1-e i K.Pr.Penale, në bazë të të cilit ndjekja penale e filluar në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu nuk mund të vazhdojë”.

Dokumentet që u morën parasysh në atë kohë  ishte mungesa e një autorizimi të ri, teksa autorizimi i vjetër i qershorit 2008 e kishte humbur fuqinë duke qenë se i përkiste Kuvendit legjislativ të mëparshëm

Gjykata e lartë tha: “ Me mandatin e deputetit ka lidhje edhe statusi i tij. Element i rëndësishëm i këtij statusi, ndër të tjera, është imuniteti parlamentar, që përfshin papërgjegjshmërinë penale dhe paprekshmërinë penale të deputetit. E para ka të bëjë me papërgjegjshmërinë parlamentare, pra lidhur me veprimtarinë e tij si anëtar i Kuvendit, në ushtrim të funksionit të tij, ndërsa paprekshmëria penale ka të bëjë me paprekshmërinë parlamentare.

Për rastin në shqyrtim kemi të bëjmë me institutin e imunitetit në lidhje me paprekshmërinë parlamentare (ose paprekshmërinë penale), që është një aspekt i institutit të imunitetit parlamentar. Imuniteti është një institucion i vendosur për të siguruar ushtrimin e lirë të mandatit parlamentar dhe synon të parandalojë që kundër deputetit të bëhet ndjekje penale, apo arrestim pa autorizimin e Kuvendit të Shqipërisë.”

Duke kujtuar se autorizimi i përkiste legjislaturës së 17, kurse Mediu ishte deputet I legjislaturës 18 , për gjykatën e Lartë të asaj kohe, ai e kishte pasur vlerën deri në datën 1 korrik 2009, pra menjëherë pasi ai fitoi zgjedhjet

“Organi i akuzës nuk mund të mbështetet në kërkimin e vazhdimit të gjykimit kundër të pandehurit mbi bazën e një autorizimi të lëshuar nga Kuvendi i mëparshëm, sepse ky autorizim, për nga vetë natyra e tij, është i kufizuar në kohë. Ky autorizim bie dhe zhvishet nga efektet jo vetëm për shkak panevojshmërie kur gjykata jep vendim themeli, por edhe kur i pandehuri gjatë gjykimit rifiton një mandat të rregullt parlamentar. Për shkak se imuniteti është garanci e Kuvendit si institucion dhe jo e deputetit të tij, vazhdimi i gjykimit kundër të pandehurit do të cenonte vetë integritetin e Kuvendit, i cili është vetë ai që mund të vendosë për heqjen e këtij imuniteti mbi një kërkesë të posaçme, vetëm të organit të akuzës.”

Si mbrojtje u përdor nga gjykata e lartë qëndrimi që u mbajt në vitin 2002 për deputetin Azgan Haklaj

 “… edhe pse i pandehuri Azgan, statusin e deputetit të Kuvendit e fitoi mbas nisjes së procedimit penal, kur çështja ndodhet në gjykatë, gjykimi i tij nuk mund të vazhdojë, pasi gjykata ndodhet përpara rasteve të parashikuara në nenin 290 të K.Pr.Penale …” thekson kolegji

Çfarë tha pakica?

Në të vërtetë dy gratë gjyqtare nuk menduan njëlloj si kolegët që konsideroheshin në pamundësi proceduriale për të kërkuar një autorizim të ri

“Ne kushtet kur Kuvendi i Shqipërisë e ka dhënë njëherë autorizimin duke lejuar organin procedues të kryeje procedimin përkatës, presupozohet që e ka ushtruar një kontroll të till dhe e ka çmuar të drejtë kërkesën e tij”.

Për pakicën, kërkesa kushtetuese që i paraqitet Kuvendit për dhënien e autorizimit për procedimin e një kategorie personash, përfshirë edhe deputetët, dhe dhënia në fakt e këtij autorizimi nuk presupozon zhveshjen e personit konkret nga mbrojtja e veçantë që ai gëzon për shkak të imunitetit parlamentar, të cilën e ka fituar me zgjedhjen nga elektorati dhe konfirmimin nga KQZ.

“Përkundrazi, pas dhënies se autorizimit për procedim, madje dhe pas marrjes se tij si i pandehur, deputeti, ashtu sikurse ndodhi dhe me të pandehurin Fatmir Mediu, vazhdon të ushtroje funksionet e tij si deputet duke gëzuar të drejtat dhe garancitë ligjore, përfshirë dhe mbrojtjen e posaçme juridiko-penale për veprime të drejtuara kundër tij dhe që përbëjnë vepër penale, pa kufizim, njëlloj si edhe deputetët e tjerë. Autorizimi për procedim i dhënë nga Kuvendi është parakusht për organin procedurës, pa te cilin ky i fundit nuk mund të kryejë një numër veprimesh proceduriale, përfshirë dhe marrjen si të pandehur.

Replikimi për shembullin e Azgan Haklaj i sjellë në referim të një vendimi të mëparshëm sipas dy gjyqtareve shkruhet si vijon “Shtetasi Azgan Haklaj u zgjodh deputet për herë të parë pasi ndaj tij kishte filluar procedimi penal, madje pasi ishte vendosur masa e sigurimit arrest në burg dhe ishte marrë si i pandehur. Patjetër që edhe për pakicën, me zgjedhjen e tij si deputet, u krijua një rrethanë krejtësisht e re për këtë person, kapërcimi i së cilës, pa marrë autorizimin nga Kuvendi, do të binte ndesh me ndalimin kategorik të pikës 2 të nenit 73 të Kushtetutës”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë