Politike

“Gërdeci” nuk hapet për tejkalim afatesh, Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e SPAK

Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e SPAK për të rihapur dosjen “Gërdeci” dhe rinisur hetimet ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Vendimi është marrë nga gjyqtari Erjon Çela. Në arsyetimin prej 28 faqesh, gjyqtari Çela thotë se ka kaluar afati 10-vjeçar i parashikuar nga Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale për të ushtruar ndjekjen penale nga ana e organit të akuzës.

Në vlerësimin GJKKO-së periudha llogaritet nga shtatori i 2009, kur Gjykata e Lartë vendosi mbylljen e hetimeve ndaj Fatmir Mediu për shkak se ky i fundit rifitoi imunitetin si deputet në zgjedhjet e atij viti.

Sipas Gjykatës së Posaçme, pas vendimit të Gjykatës së Lartë të 2009-s, Prokuroria mund t’i drejtohej sërish Kuvendit për marrjen e autorizimit për hetimin e Fatmir Mediut, gjë që nuk e ka bërë.

Gjykata vëren gjithashtu se edhe pas ndryshimeve kushtetuese të 2012-s ku u hoq kërkesa për autorizim, Prokuroria nuk e ushtroi këtë të drejtë të saj.

“Pra, nga vitit 2012 deri më datë 1 Gusht 2017, kur hynë në fuqi ndryshimet e Kodin e Procedurës Penale, prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që të rimerte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale, apo të kërkonte rishikim të vendimit. Në kushtet kur prokuroria nuk e ka ushtruar ndjekjen penale për një periudhë mbi dhjetë vjet, edhe pse nuk ka pasur një pengesë të tillë, Gjykata çmon se ajo nuk mund të ushtrohet më tashmë bazuar në nenin 66 gërma “b” të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 gërma “d” të Kodi të Procedurës Penale”, thuhet në vendimin e GJKKO.

Sipas Gjykatës, kërkesa e SPAK-ut “është e pabazuar në ligj”. Nga ana e saj dhe Prokuroria e Posaçme i tha Zërit të Amerikës se vendimi i sotëm është po ashtu “i pabazuar në ligj dhe se do të ankimohet menjëherë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë