Drejtësia

“Gërdeci”/ Nuk u njoftua, shtyhet seanca ndaj Fatmir Mediut për rihapjen e hetimeve

Gjykata e Posaçme e Apelit, ka shtyrë këtë të premte shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut për rihapjen e hetimeve ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i akuzuar për shpërdorim detyre për tragjedinë e “Gërdecit” në mars të vitit 2008.

Shkak për shtyrjen e seancës, ishte se njëra prej palëve, konkretisht Fatmir Mediu nuk ka marrë dijeni rregullisht. Seanca e caktuar për këtë të premte, u shty, për të vijuar më datë 24.09.2021, ora 10:00. SPAK apeloi vendimin e GJKKO-së, pasi kjo e fundit rrëzoi kërkesën për rihapjen e hetimeve.

"Ditën e sotme, ishte planifikuar për t`u shqyrtuar në dhomë këshillimi çështja me nr. 212 akti, datë regjistrimi 03.09.2021, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm dhe trashëgimtarëve të viktimës E.D.,", - njofton Gjykata.

Një muaj më parë, Shkalla e Parë, rrëzoi SPAK, por vendimi i GJKKO u apelua nga ana e prokurorëve që kishin në dorë çështjen.

Në një vendim prej 28 faqesh, gjyqtari Erjon Çela rrëzoi pretendimet e SPAK-ut, që sipas tij nuk kishin paraqitur asnjë provë të re. Shqyrtimi i kërkesës në apel është zhvilluar në dhomë këshillimi pa praninë e palëve.

Vetë Mediu, i cili është pjesë e Kuvendit, pasi fitoi mandatin e deputetit në 25 prill, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirjen e tij në çështjen “Gërdeci”.

Familjarët e 26 viktimave që humbën jetën nga shpërthimi i municioneve luftarake, kanë kërkuar vazhdimisht hetimin dhe dënimin e tij, duke bërë apel për drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë