Politike

Hetimi i SPAK për Gërdecin, Mediu: Jam gjykuar një herë, proces tërësisht politik

Gazeta Si - Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka reaguar pas dërgimit nga SPAK të dosjes së Gërdecit, ku ai akuzohet për shpërdorim detyre, sipas kodit Penal dhe Ushtarak.

Në deklaratë e tij, Mediu e cilëson dërgimin për gjykim në GJKKO të çështjes penale në ngarkimin e tij si formalizim i gjithë veprimeve në kundërshtim me ligjin të kryer nga SPAK në kuadër të hetimeve të rihapura në lidhje me ngjarjen tragjike të Gërdecit.

Ish-ministri i Mbrojtjes në kohën kur ndodhi tragjedia e Gërdecit, Fatmir Mediu. Gazeta Si, 8 shkurt 2023

“Rihapja e kësaj çështjeje dhe mandej vazhdimi i të ashtuquajturave hetime të kryera nga ana e SPAK, janë akte tërësisht në kundërshtim me ligjin procedural penal, si dhe me faktet e provat. Ngjarja tragjike e Gërdecit, ashtu sikurse edhe vetë organi i prokurorisë ka pranuar, nuk ka si shkak urdhrat e Ministrit të Mbrojtjes. Këto urdhra kanë dalë në bazë dhe për zbatim të ligjit dhe akteve të Këshillit të Ministrave”, - shprehet Mediu.

Ai thekson se detyrimi për kryerjen e demontimit ka buruar nga këto akte dhe nga angazhimet ligjore për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.

“Demontimi i municioneve të tepërta ka qënë një process, i cili ishte zhvilluar si përpara ngjarjes së Gërdecit, ashtu edhe më pas mbi të njëjtin kuadër ligjor dhe nënligjor. Ngarkimi me përgjegjësi penale i ministrit për çështje që qartësisht janë jashtë kompetencës dhe dijes së tij edhe si ministër, është në kundërshtim të plotë me ligjin”, - thekson më tej kryerepublikani.

Ai thekson se këto hetime janë kryer edhe më parë nga Prokuroria dhe tani nga SPAK. “Edhe pse këto hetime kanë qënë tërësisht tendencioze dje edhe sot, ato kanë provuar katërcipërisht se nuk ka asnjë përfshirje timen në një veprimtari korruptive në këtë proces. Fakt i cili dhe vetëm ai mundet të më ngarkonte me përgjegjësi penale mua si ministër.

Kjo çështje e gjykuar dhe rigjykuar në të tre shkallët e gjyqësorit, ndërtohet mbi të njëjtën akuzë tashmë edhe të parashkruar, të ringjallur dhe të stisur politikisht, me qëllim parësor hedhjen në tregun mediatik dhe propagandimin institucional të SPAK”, - shprehet ish-ministri.

Ai thekson se akuzat e SPAK nuk janë një qëndrim profesional juridik, por një pozicionim politik i këtij institucioni. “Marrdhënia me median që në fillesë të rastit, përfaqësimi i të ashtuquajturës akuzë nga tre prokurorët kryesorë të SPAK, si dhe shmangia e mosarsyetimi i problemeve ligjore të ngrituara në aktet tona të transmetuara në SPAK, përbëjnë provë që aksioni penal kundër meje nuk është një qëndrim i pavarur e profesional i një prokurori, por është pozicionim politik i një institucioni të tërë.

Në çdo rast mbetem i vetëdijshëm se vendi ku shqyrtohen dhe provohen akuzat nuk është parësisht media, por gjykata, me bindjen e palëkundur se akuzat janë të paligjshme dhe do të rrezohen në një proces të drejtë, objektiv dhe të ndershëm”, - e mbyll reagimin e tij ish-ministri i Mbrojtjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë