Ne rrjet

Sa shqetësuese është përhapja e variantit indian në Europë

Ashtu si gjashtë muaj më parë, vendet europiane po vendosin një nga një karantinë për udhëtarët nga Britania e Madhe. Nëse në fillim të janarit, shqetësim ishte varianti britanik, i cili është përhapur tanimë në të gjithë Europën, përfshirë edhe Shqipërinë, kësaj radhe, ai që përbën shqetësim është një mutacion i ri me origjinë nga India.

Edhe pse numri i infeksioneve është ende i ulët, rastet e lidhura me variantin indian në Britani janë rritur me shpejtësi që kur rastet e para u zbuluan në mars. Ndërkohë që vendet e BE-së kanë ndaluar udhëtimet në Indi, Britania e Madhe u kritikua javën e kaluar se e vendosi Indinë në listën e kuqe shumë vonë. Në këto kushte, Gjermania shkoi aq larg sa të ndalojë hyrjen e britanikëve të pa vaksinuar në vend. Organi gjerman këshillimor i shëndetit publik, Instituti Robert Koch, e shpalli Mbretërinë e Bashkuar një vend me rrezik të lartë për shkak të përhapjes së variantit indian.

"Kjo lëvizje është e vështirë, por është e nevojshme për të parandaluar përhapjen e shpejtë të variantit indian në Gjermani", tha një zëdhënës i Ministrit gjerman të Shëndetësisë Jens Spahn.

Dhe të mërkurën, presidenti francez Emmanuel Macron vendosi të urdhërojë karantinimin e detyrueshëm të udhëtarëve nga Britania e Madhe. Zëdhënësi tha se Franca po bashkohej me Gjermaninë në marrjen e masave shtesë për t'u mbrojtur nga varianti indian.

Ndërkohë, britanikët shpresojnë të kthehen në normalitet më 21 qershor, me heqjen e kufizimeve të mbetura. Kjo lëvizje do të lejonte dasma, festivale, kthimin në zyrë dhe potencialisht edhe heqjen e masave të distancimit shoqëror.

Sidoqoftë, arritja e këtij qëllimi varet nga ulja e niveleve të infeksionit, përshpejtimi i programit të vaksinimit dhe siguria që variantet e reja nuk do të shkaktojnë shpëthime të tjera.

Me të dhënat më të fundit që tregojnë një ngritje të lehtë të rasteve në Angli, dhe me variantin Indian tani mbizotërues në disa pjesë të vendit, ekzistojnë pikëpyetje se pavarëisht shpresave për nisjen e seoznit turistik, varianti indian mund të përhapet në të gjithë Europën, duke shkaktuar një valë të ngjashme më atë të fillim vitit.

Kryeministri brtanik Boris Johnson thotë se është optimist, ashtu si Jenny Harries, kreu i Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar, por Johnson thekson se nuk do të marrë një vendim përfundimtar deri në 14 qershor.

Britania e Madhe po pret një azhurnim mbi ndikimin e variantit indian në infeksionet, shtrimet në spital dhe vdekjet.

Por cfarë dimë deri më sot për variantin e ashpër të shfaqur në vendin aziatik?

Ekspertët thonë se deri më tani në Britani ashtu dhe Europë varianti dominues është ai britanik. Të dhënat e publikuara javën e kaluar treguan se midis 1 shkurtit dhe 18 majit, kishte 132,082 raste të variantit britanik dhe me 2,889 raste të variantit B.1.617.2, i zbuluar për herë të parë në Indi.

Sidoqoftë, rastet e variantit indian po rriten më shpejt se në çdo mutacion tjetër. Autoritet britanike thonë se ai është të paktën po aq ngjitës sa varianti i Mbretërisë së Bashkuar. Të dhënat tani tregojnë se është bërë më dominuese se varianti i Mbretërisë së Bashkuar në zonat më të populluara të vendit.

Rastet e para të këtij varianti në Europë u zbuluan më 28 mars. Më 20 maj, Britania e Madhe raportoi se rastet e variantit Indian ishin rritur në 3,424, me një rritje prej 2,111 rastesh brenda javës. Sidoqoftë, numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë më i lartë pasi jo të gjitha rastet janë analizuar gjenetikisht.

Të dhënat më të fundit të Shëndetit Publik të Anglisë tregojnë se mostrat pozitive me këtë variant janë përhapur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe po rriten. Dhe në disa rajone, tani ka një përqindje më të madhe të këtij mutacioni sesa atij anglez.

A është ky variant më vdekjeprurës?
Ndërsa të dhënat tregojnë për një variant më të transmetueshëm, nuk ka ende të dhëna se çfarë ndikimi ka ky variant në ashpërsinë e sëmundjes.

Një raport i Shëndetit Publik të Anglisë javën e kaluar tregoi se nga 2,889 raste të konfirmuara të variantit indiane midis 1 shkurt dhe 18 maj, 104 njerëz kërkuan mjekim në spital, 31 u shtruan dhe gjashtë pacientë vdiqën.

Këto shifra përfaqësojnë një shkallë fataliteti prej 0.2 për qind. Shkalla e fatalitetit të rastit për variantin anglez aktualisht është rreth 2 për qind.

Gjithashtu nuk ka ende të dhëna të publikuara për rrezikun e variantit të ri tek fëmijët. Sidoqoftë, transmetimi në shkolla, veçanërisht tek fëmijët më të vegjël, duket se po rritet.

Qeveria Britanike publikoi të dhënat e para të shtunën mbi mbrojtjen e ofruar kundër variantit indian nga dy vaksinat më të administruara në Britani të Madhe. Ajo tha se në përgjithësi, të dy vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca sigurojnë mbrojtje ndaj këtij mutacioni, veçanërisht pas dy dozave. /Politico.Eu/


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë